'Klasikja' Vllaznia-Tirana mbyllet në barazim! Egnatia fiton me Laçin, Kukësi i falet një autogoli me Kastriotin

'Klasikja' Vllaznia-Tirana mbyllet në barazim! Egnatia fiton me Laçin, Kukësi i falet një autogoli me Kastriotin

15:48, 13/11/2022

Superliga shqiptare e futbollit zhvilloi këtë të diel tre nga ndeshjet e javës së 12-të. "Klasikja" mes Vllaznisë dhe Tiranës e zhvilluar në "Selman Stërmasi" u mbyll me rrjeta të paprekura, me dy klubet historike të futbollit shqiptar që ndanë pikët. Në stadiumin e Kamzës, Kastrioti dhe Kukësi barazuan 1-1, me verilindorët që morën një pikë  vetëm në fundin e sfidës falë një autogoli. Egnatia fitoi pastër 2-0 me Laçin, teksa Shpëtim Duro fiton kundër ish-skuadrës që e drejtoi në edicionin e kaluar.

Në Rrogozhinë, Egnatia ia doli të fitojë 2-0 me Laçin, për javën e 12-të në Superligë. Vendasit e Shpëtim Duros u treguan më të saktë në 90 minuta, duke marrë tri pikë me peshë që i afrojnë me zonën evropiane. Ndeshja u zhbllokua me golin e Agbekpornu në minutën e 64, teksa në fundin e duelit ishte Fernando që pasi mori një top të bukur nuk e pati të vështirë të kalonte Dajsinanin. Egnatia me 18 pikë renditet në vendin e katërt, teksa Laçi mban pozitën e shtatë me 14 pikë.

Në stadiumin e Kamzës, Kastrioti dhe Kukësi barazuan 1-1. Dueli u hap me golin e Santiago Selmanit për vendasit në minutën e 51. Disavantazhi bëri që Kukësi të kërkonte barazimin, teksa ia doli vetëm në shtesën e ndeshjes me autogolin e Stojanovic. Katër ndeshje pa fitore bëjnë që Kukësi me 12 pikë të renditet i teti, teksa Kastrioti me 15 pikë mban vendin e gjashtë.Me dy ndeshje që zhvillohen nesër, momentalisht Tirana qëndron në krye të Superligës me 22 pikë, Partizani dhe Vllaznia me 19 pikë, teksa Bylis dhe Teuta mbyllin renditjen.

Rezultatet:

Kastrioti 1-1 Kukësi

Egnatia 2-0 Laçi

Vllaznia 0-0 Tirana

E hënë:

13:00 Teuta - Erzeni

16:00 Partizani - Bylis

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco