Politika bën pis futbollin...

Politika bën pis futbollin...

21:02, 22/01/2022

Nga Xhevdet Zekaj

Pasi për 30 vite politika i "kaun nanën" Shqipërisë, tashmë do me kap dhe futbollin…

Por llogaritë i ka bërë pa hanxhiun.

Fushata zgjedhore e futbollit shqiptar ka nisur ethshëm, edhe pse nuk ka ende një datë zhvillimi të asamblesë zgjedhore. Beteja për të kapur shoqatat rajonale është ashpërsuar, po shoqërohet me akuza dhe kundërakuza.

Një gjë është e qartë tashmë: politika po i fut hundët sërish. Kësaj radhe duket se "stafetën" e ka marrë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që po shfaqet më i zjarrtë se në fushatën zgjedhore të fundit, kur kërkonte vota për mazhorancën socialiste.

E thënë ndryshe, e njollosi këtë fushatë me deklaratat publike të sotme, kur ia bëri goja të deklaronte si lac: llumi i Shijakut nuk mund të kontrollojë shoqatat rajonale të futbollit të Tiranës. Një fjalor të tillë vështirë ta ndeshësh edhe tek ultrasit më të thekur nëpër stadiume.

Se çfarë "llumi" mund të fshihet pas kësaj, mund ta marrë kushdo me mend. Beteja për kreun e FSHF-së ka ngërthyer pushtetarë, fletushka që nuk shiten më, kriminelë që kërcënojnë, ndërtues pallatesh etj.

UEFA dhe FIFA janë njoftuar tashmë për çdo kërcënim me vendin e punës nëse nuk votojnë siç do Veliaj. Paralajmërimi është gati, ato nuk tolerojnë as interferimin më të vogël të politikës.

Në emër të Shakohoxhës, të cilin po e mbështet hapur, duket se kryebashkiaku po i hap një telash të madh kryeministrit Rama. Sepse, një përjashtim i paevitueshëm i futbollit tonë nga kompeticionet ndërkombëtare do të ishte goditje për qeverinë, jo për bashkinë e Tiranës.

Llogorja që po hap kryebashkiaku Veliaj duket e pashpjegueshme edhe për faktin se qeveria socialiste dhe FSHF kanë bërë aq shumë për infrastrukturën sportive në vendin tonë.

Atëherë, çfarë llogarie ka bërë Veliaj? Për një plesht do të djegë jorganin?  Pra, po fut mazhorancën qeverisëse në një konflikt me UEFA dhe FIFA, të cilat iu kanë treguar vendin edhe pushtetarëve të tjerë më parë. Kryebashkiaku kryeqytetas duhet të bashkëpunojë për të zgjeruar infrastrukturën sportive, të ndërtojë fusha të reja futbolli në bashkëpunim me FSHF, jo të angazhohet në luftëra deklarative të padenja, si "llumi" i sotëm.

Pastaj, UEFA pret bashkëpunim maksimal mes të gjitha hallkave për të zhvilluar finalen e "Conference League" në Tiranë. Veliaj i hedh benzinë zjarrit, duke vënë në rrezik gjithçka edhe në këtë drejtim.

Pa u majisur pa kthim kjo situatë, lëreni futbollin të zgjedhë vetë drejtuesit e vet në të gjitha nivelet. Mos e politizoni, si gjithçka tjetër në këtë vend, sepse nuk luhet me UEFA dhe FIFA. Nuk luhej as dikur, kur kreu i FSHF-së kishte vetëm "valenca" kombëtare, jo më tani që është anëtar i KE së UEFA-s.

Përballuni me projekte, me fusha të ndërtuara, jo me pallate qiejgërvishtës. As me presione për vendin e punës, por me argumenta bindës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco