FSHF, workshop me klubet shqiptare për licencimin/ Gjini: Proces shumë i rëndësishëm në futboll

FSHF, workshop me klubet shqiptare për licencimin/ Gjini: Proces shumë i rëndësishëm në futboll

09:53, 16/12/2021

Procesi i licencimit të klubeve është një nga elementet kryesore për të qenë pjesë e kampionateve elitare, jo vetëm në Shqipëri por kudo ku luhet futboll në botë.

Kësisoj, duke parë rëndësinë e madhe që ka ky proces, Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të klubeve në Federatën Shqiptare të Futbollit zhvilloi këtë të mërkurë një workshop me të gjitha klubet e “Abissnet Superiore” dhe katër skuadrat e Kategorisë së Parë që janë kandidate për të qenë pjesë e elitës në sezonin e ardhshëm si dhe dy klubet e kampionatit të femrave, kandidate për të qenë pjesë e Kupave të Europës.

I pranishëm në këtë workshop të rëndësishëm, përveç drejtuesve dhe financierëve të klubeve shqiptare ishte edhe Kristaq Ndini, ekspert i Kriterit Financiar.

Eduard Gjini, menaxheri i këtij departamenti, duke folur për fshf.org shprehet se ky workshop ka shumë rëndësi, pasi të gjitha klubet njihen me kriteret e licencimit për të qenë pjesë në sezonet e ardhshme të kampionatit “Abissnet Superiore” por edhe të Kupave të Europës, duke marrë edhe asistencë nga Departamenti përkatës në FSHF, që i ndihmon në kryerjen e procesit.

“Sipas procedurës së UEFA-s, çdo vit ne organizojmë një workshop, ku marrin pjesë të gjitha ekipet e “Abissnet Superiore” si dhe klubet kandidate që vijnë nga Kategoria e Parë për të marrë pjesë në Superiore. Gjithashtu, në këtë workshop, marrin pjesë edhe 2 apo 3 kandidate nga skuadrat e femrave, të cilat kanë mundësi për të luajtur në Kupat e Europës në sezonin që vjen.

Kjo bëhet çdo vit, sipas rregullores së UEFA-s dhe në këtë lloj workshop-i ne tregojmë mënyrën dhe procedurën se si duhet të plotësohet dokumentacioni për të përfituar në përfundim të procesit, licenca apo për t’u refuzuar”, tha Gjini.

Më tej, ai u shpreh se UEFA ka vendosur që të ketë ndryshime për disa nga kriteret, duke shpjeguar për secilin kriter, se çfarë ndryshimesh kanë pësuar.

“Siç e kam cilësuar edhe më parë, në periudhën e vjeshtës, ne kemi zhvilluar disa workshop-e dhe seminare me UEFA-n, në të cilat na janë komunikuar ndryshimet që do të jenë për bazë për sezonin e ardhshëm për rregulloren e licencimit. Ndryshimet janë në katër kritere. Në kriterin sportiv janë shtuar nga katër skuadra të sistemit zinxhir të akademive të klubeve, për sezonin që vjen do të jenë pjesë gjashtë skuadra nga mosha U-7 në moshën U-21 dhe kjo do të shoqërohet edhe me kualifikimin e trajnerëve në nivelin e kërkuar.

Në pjesën e kriterit të infrastrukturës, nuk do të zhvillohen më ndeshje të kompeticioneve të UEFA-s gjatë ditës. Koeficienti i UEFA-s për stadiumet është 2 dhe stadiumet që plotësojnë sot kushtet për të luajtur në Kupat e Europës janë 5. Është “Niko Dovana” në Durrës, “Air Albania”, “Elbasan Arena”, Loro Boriçi” dhe së fundmi stadiumi i Kukësit. Në kriterin e administratës dhe personelit janë shtuar dy kërkesa, dy oficerë, ku njëri prej tyre do të bëjë menaxhimin e ndeshjeve të kampionatit dhe të Kupave të Europës dhe tjetri që do të merret me grupet vulnerabël (tetraplegjikë, paraplegjikë).

Dhe pjesa e fundit është ajo ligjore, ku UEFA ka shtuar disa kërkesa përveç formave të përcaktuara që më parë të shoqërive apo shoqatave të regjistruara në gjykatë apo shoqërive aksionere apo ShPK-ve të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Një nga pikat ishte shndërrimi i formës ligjore nga shoqatë në shoqëri aksionere, që do të kalojë në një etapë që do të zgjasë rreth 3 vjet. Po edhe disa deklarata shtesë, në lidhje me fiksimin e rezultateve të ndeshjeve apo me zbatimin e tjera të rregulloreve të UEFA-s”, vijoi më tej për fshf.org Gjini.

Kriteri financiar vijon të mbetet ai më i rëndëishmi dhe Eduard Gjini shpjegon se klubet shqiptare duhet të eliminojnë çdo detyrim që kanë ndaj insitucionit të tatimeve apo palëve të treta.

“Gjithmonë kriteri financiar është ai më i rëndësishmi  dhe këtu shumë skuadra tonat vuajnë në plotësimin e këtyre kritereve. Një nga pikat më të rëndësishmë është që të gjitha klubet që do të përfitojnë një licencë të UEFA-s nuk duhet të kenë më detyrime karshi institucionit të tatimeve, karshi të tretëve, individëve të caktuar, lojtarëve, punonjësve të stafit apo të tjerë.

Është shumë e rëndësishme që klubet të zerojnë deficitin që kanë karshi këtyre”, shtoi menaxheri i licencimeve në FSHF.

Në fund, ai u shpreh se FSHF-ja po mundohet që vit pas viti të ndërgjegjësojë klubet për këtë proces të rëndësishëm, duke zhvilluar seminare e takime individuale me klubet, ku vitin e kaluar, i pranishëm ka qenë edhe vetë Presidenti Duka.

“Çdo vit ne po i bëjmë klubet më të ndërgjegjshme për plotësimin e kritereve. Çdo vit bëjmë takime individuale, ne edhe pas këtij workshop-i do të organizojmë takime me secilin klub aplikant.

Vitin e kaluar Presidenti Duka bëri takime personalisht me të gjithë presidentët e klubeve për të plotësuar sa më mirë këto kritere. Ne po insistojmë që ky nivel plotësimi të jetë sa më i madh”, përfundoi Eduard Gjini.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco