Martini, ironik me Tiranën: Situata e tyre me COVID-in nuk duhet të na vërë në gjumë

Martini, ironik me Tiranën: Situata e tyre me COVID-in nuk duhet të na vërë në gjumë

16:41, 15/10/2021

Edi Martini tretohet ironik në konferencën për shtyp për ndeshjen me Tiranën.

Trajneri shkodran i durrsakëve i thumboi bardheblutë për çështjen e infektimeve me COVID-19.

“Në radhë të parë u uroj shërim të shpejtë djemve që kanë pasur COVID. Do të thosha që Tirana është me fat që lojtarët e saj e kanë kaluar COVID-in kaq shpejt, sepse unë kam pasur Ivanovicin me COVID dhe më ka zgjatur tri javë. Pavarësisht se gjendja e tij fizike ka qenë shumë e mirë nuk e kemi lejuar të bashkohet me skuadrën për arsye sigurie.

E me sa duket Tirana ka pasur fat që janë shëruar shpejt. U kam thënë djemve që kjo situatë nuk duhet të na vërë në gjumë dhe gjendja e tyre nuk ka të bëjë me COVID-in në këto momente”.

Martini gjithsesi parashikon një sfidë shumë të fortë, mes dy ekipeve që i konsideron pretendente.

“Është ndeshje shumë e fortë, patjetër. Do të thosha përplasen ekipe të vendeve të para, sepse pikët janë aty-aty. Në këtë moment vendi i parë është fjalë shumë e madhe, sepse diferenca me pikë është e vogël. E kemi vlerësuar maksimalisht, siç kemi bërë gjithmonë vitet e fundit kur kemi luajtur me Tiranën”.

Nuk e ka pritur mirë ndërprerjen e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, pasi në këtë rast ka ndihmuar kundërshtarin, por sërish këmbëngul se Teuta e tij hyn në fushë si favorite.

“Në çdo ndeshje jemi favoritë, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë kështu që të tillë do të jemi edhe këtë herë. Unë nuk e doja këtë ndërprerje, sepse po kalonim një moment të mirë. Gjithsesi gjendja është e mirë dhe futbollistët janë në formë optimale, me përjashtim të Idrizajt që ka një dëmtim dhe nuk është stërvitur me skuadrën. Mendoj që do ta nisim aty ku e lamë”, deklaroi Martini.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco