Një dashuri kaq sovjetike, sa kjo për... ‘Amerikën’ (?!)

Një dashuri kaq sovjetike, sa kjo për... ‘Amerikën’ (?!)

Nga Gent Strazimiri - 14/06/2024

‘Edhe nëse kam bërë ndonjë gabim e kam bërë pa dashje (....) çdo veprim e kam konsultuar me ambasadorin dhe me shokët jugosllavë’...

‘I shkrova edhe një letër ambasadorit sovjetik në Tiranë, për ta informuar mbi disa çështje që mendoja se devijojnë nga mësimet e shokut Stalin (...) shokët sovjetikë këto punë i dinë më mirë’...

Këto janë shprehjet që i gjen rëndom në dokumetet e arkivave të Sigurimit të Shtetit, pjesë e mbrojtjes së hierarkëve të arrestuar nga ‘Partia’ sipas rastit, o si armiq të ‘shokëve jugosllavë’, o të ‘shokëve sovjetikë’ por, gjithësesi si armiq ‘të vijës së drejtë’ të socializmit në përgjithësi.

Në ato letra të shtypura me makinë shkrimi, ku ‘ë’ kërcen pak mbi rrjesht, apo ‘ç’ ulet pak nën rrjesht, është fiksuar, jo vetëm drama personale e individit nën hekura por, edhe tragji-komedia e një shoqërie të tërë.

Një shoqërie, që përjetonte me tronditje zhgërryerjen e ‘elitës’ së saj politike në një maskeradë të përgjakshme deri në barbari, që si sebep sajonte, ‘besnikërinë’ apo ‘pabesinë’ e radhës ndaj ‘mikut më të madh të të gjitha kohërave’...

Vetë ‘mikun’, ‘Partia’ e ndryshonte sipas rastit dhe hallit të ‘udhëheqjes’ por, gjithmonë në mënyrë besnikërisht sovjetike, madje edhe kur sovjetiku vetë nga mik u duhej armik...

Hipokrizi, si çdo produkt sovjetik!

Hipokrizi fshatarësh pa tokë, qytetarësh pa qytet, qesharake dhe e dhimbshme njëkohësisht, që kushtëzoi jetët tona dhe fatin e vendit për 46 vjet.

Që denatyroi vetë qenien e shqiptarit dhe tesutin e shoqërisë deri në atë farë feje sa as sot, pas 34 vitesh në liri, nuk i gjen dot as rrënjët as genin e as vetë Zotin në cilëndo fe' e besim.

Të vazhdosh ta propozosh si zgjidhje të njëjtën metodë, ndaj të njëjtit popull, me të njëjtën retorikë të një ‘besnikërie sovjetike’, është jashtë kohe po aq sa ajo makina e shkrimit në zyrën e hetuesisë...

Është banale, sa një film i soc-realizmit me fshatarë që dorëzojnë vetë me dëshirë tokën e lopën...

Madje, duke patur parasysh se ç'gjëmë bëri, është e dënueshme më shumë se çdo ideologji e praktikë tjetër që solli uri e vdekje gjatë shekullit të njëzetë.

Për më tepër, kur e propozon si një akt ‘vendosmërie e besnikërie në parimet euro-atlantike’, kalon çdo limit....

Euro-atlantizmi është krejt e kundërta e sovjetizmit, sepse do të thotë LIRI e DINJTET.

Euro-atlantizmi është anti-sovjetizëm në thelb, sepse LIRIA dhe DINJITETI nuk e pranojnë dot hipokrizinë, ndërsa ‘dashuria sovjetike’ nuk e pranon sinqeritetin, prandaj në të nuk ka as liri e as dinjitet.

Kjo ‘dashuria sovjetike’ na solli çudira që s'i kemi as për rracë e as për xhins, kur në emër të Stalinit a Enverit, djali mohonte publikisht gjyshin e babën, e baba e nëna kërkonin vetë që, djalin t'ia varnin në litar në mes të sheshit për të treguar besnikërinë ndaj socializmit dhe vendit të madh të sovjetëve...

Në emër të kësaj ‘dashurie sovjetike’, sot, disa janë gati të pranojnë vrasësin e gjyshit, torturuesin e babës, spiunin që për pak po e fuste në burg (veçse nuk i doli koha), për gjyqtar e prokuror të pavarur, madje të çertifikuar si ‘euro-atlantik’...

Burra, ‘dashurinë sovjetike’ e provuam njëherë!

Nuk kishte gjë më vdekjeprurëse, më anti-jetë e më zhburrënuese!!!

Ditën kur vendosëm të jemi pjesë e kombeve të lira, model patëm amerikanët, me atë krenarinë e tyre të të qenurit njerëz të lirë, të gatshëm të përballen me gjithçka në emër të lirisë e dinjitetit njerëzor, duke nisur nga qeveria e tyre!

Atë ditë vramë edhe hipokrizinë kooperativiste të ‘dashurisë sovjetike’, pikërisht se ajo na çoi deri në pikën ku nuk kishim më as bar për të ngrënë e as dinjitet për të ruajtur sepse nuk kishim lirinë!!!

Dashuria jonë sot i përket LIRISË, sado mundim e sakrifica të kërkojë, ashtu siç i përket çdo kombi e vendi të lirë që na frymëzoi, duke nisur nga ‘Amerika’, kjo krijesë e bekuar, që për definicion është anti-sovjetike e anti-sovjetizëm.

Duajeni e admirojeni me çdo mënyrë të mundëshme, përveç se me ‘dashuri’ sovjetike, sepse nuk ka gjë më anti-amerikane!

KAQ!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco