Kampionati Shqiptar i Futbollit, luhen sot 3 ndeshjet e mbetura të Javës së 14-të

Kampionati Shqiptar i Futbollit, luhen sot 3 ndeshjet e mbetura të Javës së 14-të

09:01, 16/01/2021

Zhvillohen sot tre ndeshjet e mbetura të javës së 14-të në Kategorinë Superiore. Të tre takimet do të luhen në orën 13:45.

Fitorja e Vllaznisë dhe Teutës, respektivisht ndaj Kukësit dhe Bylisit, ka bërë që Laçi, Tirana dhe Partizani të kërkojnë me doemos suksesin në sfidat përkatëse, për të mos humbur terren me kryesuesit.

Partizani luan sot në transfertë ndaj Skënderbeut. Të kuqtë do tentojnë triumfin në këtë takim, për të lënë pas krahëve zhgënjimin e dy ndeshjeve të fundit (humbi me Laçin dhe barazoi me Apoloninë).

Mirëpo, skuadra e Ilir Dajës nuk do ta ketë aspak të lehtë, pasi korçarët kanë dhënë shenja mjaft pozitive në dy takimet e fundit, ku kanë marrë 4 nga 6 pikë të mundshme.

Një sfidë mjaft interesante pritet të zhvillohet mes Tiranës dhe Kastriotit, në “Selman Stërmasi”. Në ndeshjen e fazës së parë ekipet ndanë pikët me një barazim 1-1, por bardheblutë këtë radhë janë të dënuar të kërkojnë me çdo kusht suksesin, për të mos lënë pikë të tjera rrugës. Me shumë interes pritet aktivizimi i Taulant Seferit, sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, që konsiderohet goditja e madhe e Tiranës në merkaton e dimrit.

Në Fier do të zhvillohet një tjetër takim që mund të prodhojë surpriza, Apolonia – Laçi. Barazimi në sekondat e fundit të shtesës ndaj Partizanit, me shumë se për renditjen, i shërbeu ekipit fierak për të rritur dozën e optimizmit. Megjithatë, përballë formacionit me shumë cilësi të Shpëtim Duros, Apolonia do ta ketë të vështirë, aq më tepër që humbjen më të thellë në këtë sezon i ka shkaktuar pikërisht Laçin, me rezultatin 6-1.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco