VIDEO/ Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova!

23:02, 23/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Monolog nga Florian Binaj

Sapo pamë një investigim ku në Shqipëri, një mjek mbulon 9 laboratorë, në një mjedis ligjor të paqartë, ku askush nuk e di saktë sa duhet të qëndrojë fizikisht mjeku në laborator, kush mban përgjegjësi dhe kur duhet kthyer përgjigjja.

Ndërkohë, mjafton të kalosh Morinën dhe gjen një standard shumë më të qartë: rregulla, afate dhe përgjegjësi të përcaktuara.

Dhe këtu lind pyetja: si ka mundësi që kufiri nuk ndan thjesht një komb në dy shtete, por dhe në dy mënyra krejt të ndryshme për ta marrë seriozisht shtetin?

Ky nuk është rasti i vetëm ku Dardania, Kosova, na tregon se çfarë do të thotë të kesh institucione dhe shoqëri që reagojnë.

Para disa ditësh denoncuam rastin e një drejtori shkolle që ngacmonte vajzat. Reagimi në Kosovë ishte i menjëhershëm. Institucionet vepruan. Shoqëria e dënoi rastin.

Fatkeqësisht kjo në Shqipëri ndodh gjithmonë e më pak, në mos fare.

Ne dhe kolegët tanë denoncojmë pa fund afera korruptive dhe njerëz të veshur me pushtet dhe vese, abuzues, përfitues.. Por, në shumicën e rasteve, institucionet tona janë shurdhmece. Madje, i injorojnë plotësisht si investigimet, ashtu edhe faktet sepse i bie të pranojnë paaftësinë dhe fajësinë.

Si u bëmë ne kaq të mpirë ndaj të keqes? Nga qytetarë të indinjuar në një shoqëri të mpirë, nuk ka ndodhur brenda natës. Ai është një proces i qëllimshëm i ligjëruar ngadalë për një dekadë a më shumë. Duke e kthyer sistemin e vlerave kokëposhtë, por ngadalë.

Duke i hequr shoqërisë dhe shtetit të së drejtës çdo ditë e nga një tullë, duke blerë zërat kritikë, duke i mohuar të drejtën atij që i takon e duke ia dhënë atij që s’i takon, duke blerë çdo herë e nga një gazetar, nga një program, më pas duke blerë televizione, portale, duke bërë çdo skandal normalitet, duke shpërblyer të keqen e duke dënuar të pafajshmen. Disave duke ua lidhur qytetarëve sytë, gojën, veshët, duart e këmbët me një rrogë për një pozicion parazit.

Dhe mbi të gjitha, duke i hequr votën e lirë.

Prandaj mbi gjysma e shqiptarëve nuk dalin të votojnë. Nuk janë dembelë, por e dinë dhe e dimë që në këtë sistem, vota nuk ka vlerë.

Ndryshimi i madh është që në Kosovë institucionet kanë ende ndjeshmërinë për t'u turpëruar. E nuk janë thjesht ligjet, burimet apo traditat. Është turpi. Si vaji që nuk përzihet me ujin, ashtu edhe turpi nuk përzihet me ndershmërinë, sepse në mes të vajit dhe ujit, është një shtresë e hollë që i ndan, dinjiteti.

Shtetit shqiptar i ka mbaruar turpi, i ka rënë cipa, madje as nuk skuqet më prej shumë vitesh.

Prandaj ka kaq shumë shqiptarë që ikin. Jo për paga më të larta. Por sepse duan të jetojnë në një vend ku shqetësimet e tyre merren në parasysh e ku mundi vlen. Emigrimi shqiptar nuk bëhet për shkak të parave: është nevoja për shtet. Prandaj shqiptarët këtu dështojnë, ndërsa jashtë shtetit shkëlqejnë!

Megjithatë, unë kam vendosur të qëndroj. Sepse ka ende një Shqipëri me shqiptarë të mirë. Ka ende prindër që u mësojnë fëmijëve vlerat universale të të mirës, të qytetarisë, të moralit e të përgjegjshmërisë.

Qëndroj sepse besoj se ajo Shqipëri një ditë do të ngrejë zërin. Dhe dua të jem këtu kur të ndodhë.

Dhe këta fëmijë, një ditë, në mos do jetojnë në shtetin që u takon, do ta ndërtojnë atë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco