Haxhi është një nga detyrimet më rituale në Islam dhe një nga pelegrinazhet më të mëdha myslimane në botë. Ai zhvillohet një herë në vit në disa vende të shenjta brenda dhe rreth qytetit të shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite, vendlindja e Islamit.
Haxhi përfshin kryerjen e një serie ritualesh të përcaktuara nga Profeti Muhamed, të lidhura me Ademin dhe Havanë, profetët Ibrahim dhe Ismail, si edhe me Ditën e Gjykimit.
Shumica e myslimanëve e konsiderojnë Haxhin si një nga pesë shtyllat e Islamit, së bashku me dëshminë e besimit (shehadeti), faljen e namazit, agjërimin e Ramazanit dhe dhënien e lëmoshës (zekati). Për këtë arsye, ata besojnë se çdo mysliman që ka mundësi duhet ta kryejë Haxhin para se të vdesë. Nëse dikush është i sëmurë ose nuk mundet fizikisht, mund të caktojë një person tjetër që ta kryejë Haxhin në emrin e tij.
Kur zhvillohet Haxhi?
Haxhi kryhet çdo vit nga data 8 deri më 13 e muajit Dhul-Hixhe, muaji i fundit i kalendarit islam. Në vitin 2023, Haxhi filloi më 26 qershor dhe pritej që numri i pelegrinëve të rikthehej në nivelet para pandemisë, rreth 2.5 milionë njerëz.
Historia e Haxhit
Ritualet e Haxhit u përcaktuan nga Profeti Muhamed gjatë pelegrinazhit të tij të vetëm në vitin 628 pas Krishtit. Shumë nga ritualet kryesore lidhen me historitë e sprovave që Zoti i bëri profetit Ibrahim.
Një prej tyre është kur Ibrahimit iu kërkua të linte gruan e tij Haxhiren dhe djalin e tyre të vogël Ismail në shkretëtirë pranë rrënojave të Qabesë, ndërtesa prej guri në qendër të Xhamisë së Madhe në Mekë.
Kur nënës dhe fëmijës iu mbaruan furnizimet, Haxhirja e la foshnjën dhe vrapoi mes dy kodrave, Safas dhe Mervas, duke kërkuar ndihmë. E dëshpëruar, ajo iu lut Zotit dhe u kthye te djali i saj, i cili po gërmonte rërën me këmbë. Kur Haxhirja e ngriti Ismailin, pa ujë të freskët që dilte nga toka poshtë tij dhe menjëherë krijoi një pus, duke shpëtuar kështu veten dhe djalin. Kërkimi i saj për ujë rikrijohet nga pelegrinët në ritualin e quajtur “sai”, ndërsa gjatë Haxhit ata pinë ujë nga pusi i Zemzemit, që besohet se buron nga i njëjti burim.
Një tjetër histori lidhet me sprovën e besimit të Ibrahimit, kur Zoti e urdhëroi të flijonte djalin e tij. Myslimanët besojnë se gjatë rrugës, Iblisi u përpoq ta largonte Ibrahimin nga bindja ndaj Zotit. Vendet ku ndodhën këto tundime shënohen sot nga tri shtylla të mëdha të quajtura Xhemerat. Një nga ritualet kryesore të Haxhit është gjuajtja e këtyre shtyllave me gurë, si simbol i refuzimit të tundimeve dhe i largimit të së keqes. Kur Ibrahimi u tregua i gatshëm të sakrifikonte djalin, Zoti e zëvendësoi atë me një dash për flijim. Ky veprim përkujtohet gjatë festës së Kurban Bajramit, kur myslimanët sakrifikojnë një kafshë.
Haxhi lidhet gjithashtu me Ibrahimin përmes Mekam Ibrahimit, vendi ku besohet se ai dhe Ismaili rindërtuan Qabenë më shumë se 4000 vjet më parë. Pelegrinët përpiqen të falen pranë këtij vendi pasi bëjnë tavafin, pra rrotullimin shtatë herë rreth Qabesë.
Megjithatë, rituali më i rëndësishëm i Haxhit zhvillohet në fushën e Arafatit, ku pelegrinët duhet të qëndrojnë me 9 Dhul-Hixhe. Myslimanët besojnë se aty Zoti i fali Ademin dhe Havanë, aty Profeti Muhamed mbajti ligjëratën e tij të fundit dhe aty do të ndodhë Gjykimi i Fundit.
Ritualet e Haxhit
Haxhi mund të kryhet në tri forma: HaxhKiran, Temettu dhe Ifrad. Forma më e zakonshme është Haxhi Temettu, ku pelegrinët kryejnë edhe Umren së bashku me Haxhin.
Për të kryer Haxhin, myslimanët fillimisht hyjnë në gjendjen e quajtur ihram, që simbolizon pastërtinë shpirtërore. Burrat veshin dy copa të bardha pa qepje, të ngjashme me qefinin.
Më pas pelegrinët shkojnë te Qabeja për të kryer tavafin, duke filluar dhe përfunduar te Guri i Zi. Ata falen pranë Mekam Ibrahimit dhe kryejnë “sain”, duke ecur dhe vrapuar shtatë herë mes kodrave Safa dhe Merva. Pas kësaj, ata dalin nga gjendja e ihramit duke prerë ose rruar flokët.
Me 8 Dhul-Hixhe, pelegrinët hyjnë përsëri në ihram dhe shkojnë në Mina, një qytet i madh me tenda në shkretëtirë, ku kalojnë kohën me lutje dhe adhurim. Ditën tjetër shkojnë në Arafat, ku qëndrojnë në lutje deri në perëndim të diellit. Ky konsiderohet rituali më i rëndësishëm i Haxhit.
Pas perëndimit të diellit, ata shkojnë në Muzdelife, ku kalojnë natën nën qiellin e hapur dhe mbledhin gurët që do të përdorin të nesërmen.
Me 10 Dhul-Hixhe, dita e parë e Kurban Bajramit, pelegrinët hedhin shtatë gurë mbi një nga shtyllat e Xhemeratit. Më pas organizojnë therjen e një kafshe në emrin e tyre dhe mishi u shpërndahet njerëzve në nevojë. Pas kësaj, ata presin ose rruajnë flokët për të dalë nga ihrami.
Pastaj kthehen në Mekë për të kryer përsëri tavafin, lutjet pranë Mekam Ibrahimit dhe ritualin e “sait”.
Disa myslimanë shiitë bëjnë edhe një tavaf shtesë. Të gjithë pelegrinët kthehen më pas në Mina për dy ose tri ditë të tjera, ku vazhdojnë ritualin e gjuajtjes së shtyllave me gurë dhe adhurimet e tjera.
Në fund, para largimit nga Meka, kryejnë tavafin e lamtumirës, që shënon përfundimin e udhëtimit të Haxhit.
Besohet se, nëse kryhet siç duhet dhe me besim të sinqertë, Haxhi i pastron besimtarët nga mëkatet./History.com - Syri.net
© SYRI.net