Në zonën e Jagodinës, fermerët kanë nisur vjeljet e para të domates, e cila po tregtohet me çmimin rreth 100 lekë për kilogram. Sipas fermerëve, ky çmim është në kufirin minimal për të mbuluar shpenzimet e prodhimit.
Osman Sula, i cili merret prej më shumë se 30 vitesh me kultivimin e produkteve në sera së bashku me familjen e tij, shprehet se me këtë nivel çmimi fermerët arrijnë vetëm të mbulojnë kostot, ndërsa një rënie nën 100 lekë do t’i çonte sërish në humbje.
Ai tregon për “Syri TV” se një nga shpresat kryesore për fermerët e zonës mbetet eksporti, pasi pjesa më e madhe e prodhimit destinohet për tregjet e huaja. Megjithatë, sektori vijon të përballet me vështirësi të shumta.
Për herë të parë, fermeri ka aplikuar një metodë të re në 2 hektarë sera, ku 6 dynym janë të mbjella me domate. Kjo metodë konsiston në kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme, pa përdorimin e pesticideve.
Sula thotë se rezultatet deri tani janë të kënaqshme dhe produkti i përftuar është bio. Megjithatë, kjo teknikë kërkon kosto më të larta dhe fermerët presin rimbursim nga shteti, në të kundërt rrezikojnë të dalin me humbje.
Një tjetër problem i theksuar në zonë është mungesa e krahut të punës, ndonëse pagesa ditore arrin rreth 2000 lekë të reja. Sipas fermerëve, puna në sera është e vështirë, ndaj shumë prej tyre detyrohen të punojnë familjarisht dhe me orë të zgjatura.
Osman Sula apelon që institucionet shtetërore të ofrojnë më shumë mbështetje për fermerët, në mënyrë që bujqësia të marrë zhvillim të qëndrueshëm. Ai kërkon gjithashtu një mekanizëm rregullues për çmimet e produkteve bujqësore në treg, për të shmangur humbjet e fermerëve.
© SYRI.net