Pylli i Sodës, një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të qytetit të Vlorës, prej vitesh është përballur me ndotje të vazhdueshme nga mbeturinat. I krijuar dekada më parë nga vetë qytetarët për të mbrojtur zonën nga era dhe rëra e detit, pylli me një shtrirje prej rreth 5 kilometrash dhe 550 hektarësh, sot në disa zona të brendshme është kthyer në vendgrumbullim mbetjesh.
Pavarësisht ndërhyrjeve dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e qytetarëve që të mos hedhin mbeturina, situata vijon të mbetet problematike.
Siç shihet edhe nga pamjet, në brendësi të pyllit gjenden mbetje të hedhura në mënyrë të pakontrolluar, duke dëmtuar rëndë mjedisin dhe imazhin e zonës.
Banorët e Vlorës shprehen të shqetësuar për gjendjen e Pyllit të Sodës, duke theksuar se dikur ishte një nga zonat më të bukura dhe më të frekuentuara të qytetit, ndërsa sot është kthyer në një pikë problematike mjedisore.
Disa banorë pohojnë se së fundmi nuk kanë vënë re më hedhje mbeturinash, ndërsa të tjerë kërkojnë masa më të forta institucionale ndaj shkelësve.
© SYRI.net