SYRI TV/ Rriten çmimet e ushqimeve dhe fruta-perimeve, banorët e Beratit kërkojnë ndërhyrje nga shteti

10:13, 03/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në tregjet e qarkut të Beratit është vënë re një rritje e ndjeshme e çmimeve të produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve gjatë dy javëve të fundit, duke rënduar ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve.

Sipas vëzhgimeve në terren, çmimet e produkteve bazë kanë pësuar rritje të dukshme, ndërsa konsumatorët thonë se shtrenjtimi po bëhet i papërballueshëm.

Domatja po tregtohet me 300–350 lekë të reja për kilogram, ndërsa mashurkat arrijnë deri në 300 lekë për kilogram. Po ashtu, specat, sallatori, patëllxhani dhe kungulli janë rritur me 70–120 lekë për kilogram. Rritje prej 10–20% kanë pësuar edhe çmimet e frutave.

Banorët shprehen të shqetësuar se rritja e çmimeve, e cila sipas tyre ka nisur pas shtrenjtimit të karburanteve, ka prekur si produktet bazë të shportës, ashtu edhe fruta-perimet në treg.

“Çmimet janë të papërballueshme krahasuar me të ardhurat tona. Jemi të detyruar të ulim blerjet e përditshme,” shprehen qytetarët.

Ata shtojnë se presin ditët e tregut, kur tregtarë nga zonat rurale ofrojnë çmime disi më të ulëta, megjithatë më të prekurit mbeten të moshuarit që jetojnë me pensione dhe e kanë të vështirë të përballojnë koston në rritje të jetesës.

Edhe tregtarët konfirmojnë rënie të konsumit nga dita në ditë, duke theksuar se qytetarët po blejnë gjithnjë e më pak.

Sipas banorëve dhe tregtarëve, situata aktuale po ndikon drejtpërdrejt në ekonominë familjare në Berat, ndërsa kërkohet ndërhyrje e institucioneve për të stabilizuar çmimet, pasi kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco