Nga Jona Mukja - Editorial i Piranjave
Mirëmbrëma.
Gjatë katër viteve të Piranjat, kam ndjekur problemet e dhjetëra njerëzve që na janë drejtuar për ndihmë. Kam dëgjuar halle të çdo lloji, kam parë lot, zemërim, dhe njerëz që dalin jashtë vetes nga dëshpërimi. Është pjesë e punës.
Por sot, për herë të parë, një nga njerëzit që na kërkoi ndihmë, nuk është më.
Fatjon Balla, humbi jetë.
Nuk iku nga mosha, as nga aksidentet, as nga ndonjë sëmundje e papritur. Vdiq për shkak të problemit për të cilin u drejtua tek ne.
Fatjoni nuk ngjante me asnjë prej njerëzve, historitë e të cilëve kemi ndjekur. Nëse shumica e njerëzve që ndihmojmë ne kërkojnë, me të drejtë, të marrin atë që u takon, të dëmshpërblehen, të shohin abuzuesit të dënohen… Fatjoni donte vetëm një gjë. Kjo që i ndodhi atij, të mos i ndodhte kujt tjetër.
Ishte i qetë. I kthjellët. Pa hakmarrje e pa urrejtje brenda vetes.
Edhe sëmundjen e rëndë me të cilën u përball në moshën 34 vjeçare, ai e luftoi me buzëqeshje dhe me batutë të çiltër.
Buzëqeshja, ishte forca më e madhe e tij.
Më vonë, duke gërmuar në jetën e tij, kuptova që ai nuk ishte thjesht një "denoncues" i radhës. Ishte një aktivist, një njeri që jetën e tij ia kishte kushtuar kauzave që i shërbenin të gjithëve, jo vetëm atij. Një mik i natyrës, i malit, i detit, sepse Toni donte gjithçka të bukur që na është dhënë në këtë Tokë, e që për atë u bë shumë e vogël.
Ishte ai lloj qytetari që tejkalon veten për të mirën e të gjithëve, që jep pa kërkuar të marrë, e që në një shoqëri të stërmunduar si e jona, kemi harruar që ekziston.
Fatjoni ishte një nga ata qytetarë që Shqipëria i ka me pakicë, dhe humbja e të cilëve nuk i përket vetëm familjes e miqve. Humbja e tij, edhe mua më pakëson… ne të gjithëve na pakëson.
Tani, pa të, Shqipëria është pak më e varfër.
Dhe ky është një nga ato rastet kur dëshiroj që teoria e mishërimit të jetë e vërtetë… Sepse ndoshta, ndonjëherë, një shpirt si i tij mund të kthehet përsëri mes nesh.
Fatjoni ndërroi jetë më 5 prill në Spanjë, teksa kishte shkuar për t'u trajtuar. Shpenzimet për të kthyer trupin në Shqipëri janë të konsiderueshme. Kushdo mundet, mund të kontribuojë, të ndihmojmë familjen të kthejë trupin në Shqipëri.
© SYRI.net