Lajmi i fundit

Sërish helmim tek Akademia e Policisë në Tiranë

Beteja në Kushtetuese për të njohur vitet e punës së detyruar nën moshën 18 vjeç në komunizëm

10:11, 26/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mijëra pensionistë shqiptarë, të cilët nisën punën para moshës 18 vjeç gjatë regjimit komunist, presin një vendim historik nga Gjykata Kushtetuese.  Shoqata e Pensionistëve Shqiptarë 'Thinjat' që përfaqëson interesat e tyre ka dërguar për shqyrtim një ligj, i cili, sipas tyre, në mënyrë antikushtetuese u mohon njohjen e viteve të para të punës, duke i penalizuar financiarisht me një pension më të ulët se sa meritojnë.

Presidenti i shoqatës, Ilir Goci, i ftuar në emisionin 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, tregon se problematika buron nga një ligj që përcakton moshën 18 vjeç si pikënisjen për njohjen e vjetërsisë në punë për efekt pensioni. Ky përcaktim bie ndesh me realitetin dhe kuadrin ligjor të kohës së komunizmit, ku Kodi i Punës lejonte punësimin që në moshën 15 vjeç, ndërsa fëmijët që në moshën 14 vjeç mund të punonin si anëtarë të kooperativave bujqësore.

Goci nënvizon se kjo nuk ishte një zgjedhje, por një detyrim. Puna për fëmijët e moshës 14-vjeçare në kooperativa ishte shpesh e detyruar. Familjet që hezitonin të dërgonin fëmijët e tyre në punë të rëndë fizike, përballeshin me presion nga këshillat popullore të fshatit, duke u akuzuar se mbanin “zakone prapanike” apo se ishin kundër sistemit.

“Imagjinoni t’i vishnit një vajze 14-vjeçare lopatën në krah apo kazmën. Ishte një realitet i tmerrshëm,” pohoi Goci duke theksuar se ky kontribut i hershëm dhe i detyruar sot nuk njihet fare.

Çështja prek një numër të konsiderueshëm qytetarësh, që llogaritet në dhjetëra mijëra, duke marrë parasysh se rreth 70% e popullsisë gjatë asaj periudhe punonte në zonat rurale dhe në bujqësi. Ndikimi financiar i këtij mosnjohjeje është i konsiderueshëm. Përllogaritjet paraprake tregojnë se njohja e këtyre viteve pune mund të sillte një rritje mujore të pensionit nga 16,000 deri në 18,000 lekë (të vjetra) për çdo pensionist të prekur, thotë ai.

Gjykata Kushtetuese tashmë ka pranuar kërkesën për shqyrtim. Pensionistët kërkojnë jo vetëm shfuqizimin e dispozitave që i penalizojnë, por edhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tyre deri në një vendim përfundimtar. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do t’u japë të drejtë, përfaqësuesit e tyre paralajmërojnë se çështja do të shkojë më tej, në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. E ardhmja financiare e mijëra pensionistëve varet tashmë nga ky vendim, i cili do të përcaktojë nëse djersa e derdhur në moshë të mitur do të njihet apo do të fshihet përfundimisht nga sistemi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco