Ky është segmenti i rrugës nacionale që nis nga Vllahina drejt Poçemit dhe lidhet me aksin Levan–Tepelenë.
Vetëm një vit pas përfundimit të rehabilitimit të plotë, rruga ka pësuar rrëshqitje pranë fshatit Kocul.
Banorët e zonës vënë në pikëpyetje cilësinë e punimeve. Sipas tyre, duke qenë se në shumë pjesë terreni është i rrëshqitshëm, segmenti duhej të ishte fortifikuar me masa mbrojtëse dhe barriera sigurie.
Ata thonë se në këtë aks është hedhur vetëm një shtresë e hollë asfalti dhe se punimet janë kryer pa standardet e duhura.
Për pasojë, rruga rrezikon që brenda pak vitesh të dalë jashtë funksionit.
Bëhet fjalë për një segment nacional prej 15 kilometrash, i ndërtuar si një nga korridoret lidhëse mes rrethit të Vlorës dhe Fierit.
Projekti është financuar nga qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me një fond prej mbi 4 milionë e 700 mijë euro, përfshirë TVSH-në.
Punimet janë realizuar nga kompania “Shkëlqimi 07”, ndërsa sot, vetëm një vit më pas, segmenti paraqet probleme serioze që ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë e investimit.
© SYRI.net