Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 28-të e protestës qytetare: Edi Rama jepe dorëheqjen

Kalaja mbështet banorët e Gramzës: Rruga duhet rikonstruktuar, protestat janë të drejta qytetare

13:47, 11/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banorët e fshatrave të njësisë Administrative Thumanë kanë protestuar sot duke bllokuar për rreth një orë rrugën që lidh aksin e autostradës Thumanë-Kashar, pranë Gramzës.

Në mbështetje të tyre ka qenë edhe Aulon Kalaja, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Në një deklaratë për mediat, Kalaja u shpreh se situata është e papranueshme për rreth 3 mijë banorë të zonës, duke theksuar se rruga është një arterie e rëndësishme lidhëse dhe se ndërhyrja duhet të jetë e menjëhershme dhe sipas standardeve.

Ai theksoi se protesta e banorëve është legjitime dhe se kërkesa e tyre është e qartë: rikonstruksion i plotë i rrugës dhe jo ndërhyrje të përkohshme. Sipas tij, komuniteti është i vendosur të vijojë reagimin deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit.

“Ju ka nxi jeta gati një vit. Janë 3,000 banorë, tre fshatra Gramza, Suk Vendas, Bregu i Lumit që përballen çdo ditë me këto balta, këto gropa. Jo vetëm që makinat u dëmtohen, por duhet të durojnë edhe trafikun që prodhon autostrada që ndodhet pas shpinës. Të gjithë makinat nuk ia kanë borxh Gramzës që të kalojnë këtu. Mirë që kalojnë, por pse nuk e shtrojnë? Çakulli nuk është zgjidhje, këtu duhet asfalt me 25 cm trashësi, sipas standardeve europiane, që të kalojnë makinat e tonazhit të rëndë. Pesë minuta që e kemi bllokuar rrugën, ka krijuar kolona kilometrike dhe qarkullimi është paralizuar. Gramza është fshat i rëndësishëm dhe nuk duhet lënë në këtë gjendje. Rruga është arteria kryesore që lidh veriun e Shqipërisë me Tiranën dhe Fushë-Krujën, dhe e kanë lënë copë-copë. Infrastrukturë në Bashkinë e Krujës, pra në njësinë administrative Thumanë, është katastrofë. Protesta e banorëve është legjitime; ata kërkojnë shtrimin e rrugës me standarde, jo me asfalt elektoral 3 cm që shpërbëhet sapo bie shi. Banorët sot bëjnë protestën e parë, dhe nëse rruga nuk shtrohet, do ta përshkallëzojnë deri në shtrimin total.”- u shpreh Kalaja

Ai shtoi gjithashtu: “Kjo nuk ka lidhje me parti politike – këtu ka të majtë, të djathtë, nuk ka flamur partie. Këtu është e drejta qytetare: qytetarët gjithmonë fitojnë kur dalin të bashkuar për një kauzë. Qëllimi është shtrimi i rrugës. Në rast se i shtroni rrugën, nuk do të ketë më protesta.”

Banorët dhe mbështetësit e tyre paralajmërojnë se do të vazhdojnë me veprime të tjera nëse institucionet nuk marrin masa për rikonstruksionin e plotë të rrugës, duke bërë të qartë se mbrojtja e pronës dhe e infrastrukturës është prioriteti kryesor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco