Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 28-të e protestës qytetare: Edi Rama jepe dorëheqjen

Banorët e Gramzës në protestë, bllokojnë aksin pranë Thumanë-Kashar: 500 metër rrugë si Mesjetë

11:45, 11/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dhjetëra banorë të fshatrave Gramëz, Suk-Vendas dhe Bregu i Lumit në Njësinë Administrative Thumanë kanë bllokuar sot aksin rrugor, duke shprehur indinjatën e tyre për gjendjen e mjeruar të infrastrukturës. Prej gati një viti, rreth 3000 banorë përballen çdo ditë me një rrugë të shkatërruar, të mbushur me gropa dhe baltë, e cila jo vetëm u dëmton automjetet, por edhe u vështirëson jetesën.

Banorët e fshatrave të njësisë Administrative Thumanë kanë protestuar sot duke bllokuar për rreth një orë rrugën që lidh aksin e autostradës Thumanë-Kashar, në afërsi të Gramzës.

Sipas banorëve, kjo pjesë e rrugës, vetëm 500 metra, është kthyer në makth për drejtuesit e automjeteve për shkak të amortizimit të rëndë të asfaltit. Në shenjë pakënaqësie ndaj institucioneve përgjegjëse, ata kanë vendosur të ndërmarrin këtë veprim, duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në rikonstruksionin e plotë të rrugës.

Një prej qytetarëve deklaroi: “Zero shërbim në këtë vend. 1 km rrugë dhe nuk vendos dorë as shteti, as bashkia. Këtu kalon i gjithë Everiu dhe lidhet Tirana-Durrësi. Të gjithë edalin nga kjo hyrje. Protesta do të vazhdojë deri kur të gjejmë zgjidhje.”

Në mbështetje të banorëve ka qenë edhe aktivisti i shoqërisë civile, Aulon Kalaja, i cili tha:

“Ju ka nxi jeta gati një vit. Janë 3,000 banorë, tre fshatra – Gramza, Suk Vendas, Bregu i Lumit – që përballen çdo ditë me këto balta, këto gropa. Jo vetëm që makinat u dëmtohen, por duhet të durojnë edhe trafikun që prodhon autostrada që ndodhet pas shpinës. Të gjithë makinat nuk ia kanë borxh Gramzës që të kalojnë këtu. Mirë që kalojnë, por pse nuk e shtrojnë? Çakulli nuk është zgjidhje, këtu duhet asfalt me 25 cm trashësi, sipas standardeve europiane, që të kalojnë makinat e tonazhit të rëndë. Pesë minuta që e kemi bllokuar rrugën, ka krijuar kolona kilometrike dhe qarkullimi është paralizuar. Gramza është fshat i rëndësishëm dhe nuk duhet lënë në këtë gjendje. Rruga është arteria kryesore që lidh veriun e Shqipërisë me Tiranën dhe Fushë-Krujën, dhe e kanë lënë copë-copë. Infrastrukturë në Bashkinë e Krujës, pra në njësinë administrative Thumanë, është katastrofë. Protesta e banorëve është legjitime; ata kërkojnë shtrimin e rrugës me standarde, jo me asfalt elektoral 3 cm që shpërbëhet sapo bie shi. Banorët sot bëjnë protestën e parë, dhe nëse rruga nuk shtrohet, do ta përshkallëzojnë deri në shtrimin total.”

Ai shtoi gjithashtu: “Kjo nuk ka lidhje me parti politike – këtu ka të majtë, të djathtë, nuk ka flamur partie. Këtu është e drejta qytetare: qytetarët gjithmonë fitojnë kur dalin të bashkuar për një kauzë. Qëllimi është shtrimi i rrugës. Në rast se i shtroni rrugën, nuk do të ketë më protesta.”

Rrugët e degraduara dhe mungesa e reagimit të institucioneve vijojnë të jenë shqetësime reale për komunitetet lokale, duke i detyruar ata të kërkojnë me zë të lartë zgjidhje për jetën e përditshme dhe sigurinë e qarkullimit rrugor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco