Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 28-të e protestës qytetare: Edi Rama jepe dorëheqjen

Alarm gripi në Fier/ Urgjenca 'mbushet' me pacientë, mbi 4 mijë vizita vetëm në janar

10:33, 06/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

120 deri 200 qytetarë, të rinj dhe të moshuar, paraqiten çdo ditë për ndihmë mjekësore në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit, si pasojë e virozave sezonale dhe gripit. Fluksi i shtuar i pacientëve ka vënë në provë shërbimin urgjent, ndërsa mjekët flasin për një situatë shqetësuese, veçanërisht për grupmoshat më të rrezikuara.

Mjekja infeksioniste, Ilva Çuni, bën me dije se më të prekurit nga gripi dhe virozat janë të rinjtë e moshës 15–25 vjeç, si dhe të moshuarit 70–80 vjeç, ku fatkeqësisht nuk kanë munguar as rastet fatale.

Sipas mjekes Çuni, piku i gripit është shënuar gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, ku numri i vizitave ditore në urgjencë ka arritur deri në afro 200 në 24 orë.

Ndërkohë, muaji janar ka regjistruar një rekord të pazakontë, me rreth 4 mijë qytetarë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit.

Ajo thekson se gripi i këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar, është karakterizuar nga një kohëzgjatje më e madhe e simptomave, por edhe nga rikthimi i tyre pas disa ditësh përmirësimi, duke sjellë komplikacione të shumta.

Më të prekur nga gjendjet virale kanë qenë pacientët me sëmundje kronike, një pjesë e të cilëve janë detyruar të hospitalizohen.

Mjekja Çuni apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e antibiotikëve, duke theksuar se ato duhet të merren vetëm me rekomandim të mjekut të familjes dhe jo në mënyrë të pakontrolluar.

Një tjetër apel vjen edhe për adoleshentët e prekur nga gjendjet gripale, të cilëve u kërkohet të mos frekuentojnë shkollat dhe të shmangin ambientet publike, për të mos përhapur më tej infeksionet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco