Kukës/ Rruga kryesore Xhaferraj–Turraj e bllokuar prej 10 ditësh, 50 familje të izoluar

11:16, 15/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë gjysmës së parë të muajit janar, kanë shkaktuar dëme serioze në rrugën kryesore të lagjes Xhaferraj–Turraj, një aks i rëndësishëm lidhës që siguron komunikimin e kësaj zone me qytetin e Kukësit përmes rrugës së Shishtavecit dhe Topojanit.

Si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave dhe inerteve, rruga është bllokuar plotësisht prej më shumë se 10 ditësh, duke lënë të izoluar rreth 50 familje që jetojnë në këtë lagje.

Banorët shprehen se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi mungesa e qarkullimit po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme pasi rruga është dëmtuar nga reshjet intensive, të cilat kanë dobësuar terrenin përreth, duke shkaktuar rrëshqitje të vazhdueshme dhe shembje të dherave mbi trupin e saj.

Një tjetër shqetësim serioz i ngritur nga komuniteti lidhet me sigurinë e banesave, pasi rrëshqitja e dherave ka ardhur shumë pranë shtëpive dhe ekziston frika se, në rast të reshjeve të tjera, situata mund të përkeqësohet edhe më tej.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente jo vetëm për hapjen e rrugës, por edhe për marrjen e masave parandaluese, me qëllim stabilizimin e terrenit dhe shmangien e rrezikut në të ardhmen.

Në mbështetje të shqetësimeve të banorëve ka dalë edhe kryetari i degës së Partisë Demokratike në Kukës, Rrahman Demaj.

Ai thekson se situata është alarmante dhe se banorët e kësaj zone janë të izoluar prej ditësh, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet vendore. 

Situata mbetet problematike, ndërsa banorët shpresojnë që ndërhyrja të realizohet sa më parë, për t’i dhënë fund izolimit dhe pasigurisë që po përjetojnë prej ditësh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco