Në qarkun e Korçës konstatohet rrëshqitje rrugësh, dalje lumenjsh dhe prezencë uji në disa zona të bashkive Pogradec, Korçë, Devoll, Maliq, Kolonjë dhe Pustec.
Disa segmente rrugore janë të pakalueshme ose me dëmtime, ndërsa situata po monitorohet dhe po kryhen ndërhyrje nga autoritetet. Në akset kombëtare Qafë Plloçë–Qukës ka rënie gurësh. Në Rajonin Korçë raportohet ndërprerje e energjisë për 503 abonentë.
Kujtojmë se rruga Qukës - Qafë Plloçë shembet për herë të tretë brenda pak muajsh, ku këtë herë masivi i inerteve ka rënë mbi një automjet që po kalonte në rrugë. Segementi ku kanë ndodhur të treja shembjet e rrugës, është ndërtuar nga kompania 2T, e Artan Sakos, vëllait të kryebashkiakut të Tepelenës, Gramos Sako.
Raportimi i Prefektures ora 18:00
Në Bashkinë Pogradec, në fshatin Dardhas ka rrëshqitje të rrugës dhe po punohet për krijimin e një bypass-i për komunitetin. Lumi i Starovës ka dalë në të dy anët e rrugës dhe situata po monitorohet. Lumi i Verdovës ka prurje të shumta, por deri në këto momente nuk ka dalje nga shtrati.
Në Bashkinë Korçë, në fshatrat Çiflig dhe Shamoll është evidentuar prezencë uji pranë disa banesave, por niveli është në rënie dhe nuk paraqet rrezik. Rruga për në fshatin Denas është aktualisht e pakalueshme nga prurjet e përroit, do të ndërhyet në momentin e rënies së nivelit të ujit për stabilizimin e situatës.
Në Bashkinë Devoll, ka prezencë uji në rrugë në Proger dhe Mançurisht, qendra e fshatit Proger është e pakalueshme për mjetet e vogla dhe situata po monitorohet.
Në Bashkinë Maliq, janë konstatuar shkarje dherash në segmentin Lozhan–Moglicë të cilat u pastruan nga ana e kontraktori, ka gërryerje në trupit të rrugës në aksin Podgorie–Zvezdë, km 11, në afërsi të Kishnikut, si pasojë e prurjeve të mëdha të kanalit vaditës. Është vendosur sinjalistikë e portative dhe kontraktori po punon për të parandaluar avancimin e dëmtimit.
Në Bashkinë Kolonjë, në aksin Ersekë–Leskovik ka çedim të rrugës, por pa bllokim të qarkullimit është vendosur sinjalistikë portative.
Në Bashkinë Pustec, ka rritje të nivelit të përroit po punohet me mjet eskavator dhe situata nuk paraqet rrezik.
Në akset kombëtare Qafë Plloçë–Qukës ka rënie gurësh dhe rrëshqitje masivi Policia Rrugore dhe kontraktori janë në terren për normalizimin e situatës.
Sa i përket energjisë elektrike, në Rajonin Korçë raportohet ndërprerje për 503 abonentë në zona të kufizuara. Ekipet e OSHEE janë në terren dhe furnizimi për konsumatorët e rëndësisë së veçantë është i garantuar.
© SYRI.net