Besimtarët katolikë të qytetit të Lushnjes kanë marrë pjesë në meshën e shenjtë të Krishtlindjes, e zhvilluar në kishën e Shën Pjetrit dhe Shën Palit, duke përcjellë mesazhin e besimit, shpresës dhe paqes në një kohë sfidash për vendin.
Ambientet e jashtme të kishës ishin zbukuruar me skenën simbolike të lindjes së Krishtit, të paraqitur në një kasolle barinjsh mes njerëzve dhe kafshëve, duke rikujtuar thjeshtësinë dhe dashurinë hyjnore që vjen për të gjithë njerëzimin.
Meshën tradicionale të festës së lindjes së Hyjit e drejtoi Dom Gjoni, ndërsa ceremonia nisi me vendosjen e foshnjës Jezus në një shportëz nën këmbët e altarit, një simbol i fuqishëm i shpresës dhe besimit në të ardhmen.
Gjatë meshës, besimtarët dëgjuan fjalët e Ungjillit dhe u bashkuan në lutje për paqen, begatinë dhe drejtësinë, duke shprehur dëshirën për një shoqëri më të ndershme, më të drejtë dhe më njerëzore.
Kremtimi i Krishtlindjes në Lushnjë u kthye në një moment reflektimi shpirtëror dhe uniteti për komunitetin katolik, duke përcjellë një mesazh shprese për të gjithë qytetarët.
© SYRI.net