Mospastrimi i kolektorëve të ujërave të rrjedhjes, i kombinuar me sasitë e mëdha të reshjeve që kanë rënë gjatë orëve të fundit, ka sjellë përmbytje të konsiderueshme në disa zona të Fierit. Dhjetëra hektarë tokë të mbjella me kultura të stinës ndodhen aktualisht nën ujë, ndërsa dëmet e shkaktuara në bujqësi po rriten orë pas ore.
Nën ujë ndodhet edhe nënkalimi i Qarrit, pjesë e aksit të rëndësishëm nacional Levan–Vlorë.
Bllokimi i kolektorëve ka bërë që sasi të mëdha uji të dalin mbi sipërfaqet e mbjella, duke krijuar vështirësi të mëdha për lëvizjen e banorëve dhe automjeteve. Për të shmangur izolimin, vetë banorët kanë hapur një kalim provizor poshtë nënkalimit, duke siguruar komunikimin minimal me zonat përreth.
"Sa herë bie shi, kjo zonë kthehet në të njëjtën situatë. Kolektorët janë të bllokuar, nuk pastrohen dhe gjithë uji vjen këtu. Ne vetë kemi krijuar një rrugë të përkohshme për të dalë, se ndryshe mbetemi të izoluar."
Sipas banorëve dhe fermerëve, kjo situatë përsëritet çdo vit, megjithëse ankesat e tyre janë bërë të ditura në mënyrë të vazhdueshme.
Ata shprehen se institucionet përgjegjëse, veçanërisht bordi i kullimit dhe strukturat e bashkisë Fier, nuk kanë marrë masa për mirëmbajtjen e kolektorëve, duke lënë pas dore një problematikë që i dëmton rëndë sa herë që reshjet intensifikohen.
Për momentin, reshjet pritet të vazhdojnë, ndërsa banorët dhe fermerët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe për të parandaluar humbje të tjera në kulturat bujqësore.
© SYRI.net