Dëmtimi i asfaltit në aksin Lezhë–Shëngjin ka shkaktuar shqetësime të mëdha për drejtuesit e automjeteve ditët e fundit. Në disa pjesë të rrugës janë formuar gropa dhe çarje, që kanë rezultuar në dëmtime të gomave të mjeteve.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas shoferëve, janë regjistruar mbi tre raste të dëmtimit të gomave për shkak të infrastrukturës së degraduar të rrugës.
Drejtuesit e mjeteve, që preferojnë të mbeten anonimë, i bëjnë thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) që të ndërhyjë sa më shpejt për të riparuar segmentet problematike.
Ata paralajmërojnë se situata mund të shkaktojë aksidente serioze në mungesë të ndërhyrjes së menjëhershme.
Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një afat të qartë për riparimin e këtij aksi, ndërsa qytetarët kërkojnë veprime urgjente për sigurinë e tyre.
© SYRI.net