Reshje dhe erëra të forta në qarkun Shkodër, ndërprerje energjie në disa zona

Reshje dhe erëra të forta në qarkun Shkodër, ndërprerje energjie në disa zona

09:09, 26/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qarku i Shkodrës është përfshirë gjatë natës nga reshje shiu dhe erëra me intensitet të lartë, por deri në orët e para të mëngjesit situata paraqitet pa problematika madhore në të gjitha bashkitë.

Në Bashkinë Shkodër reshjet dhe era kanë qenë të pranishme gjatë gjithë natës, por administratorët e njësive administrative raportojnë se nuk ka probleme në terren.

Edhe në Bashkinë Malësi e Madhe reshjet kanë vijuar me intensitet të lartë, herë pas here në formë shtrëngate, por deri tani nuk evidentohet asnjë situatë emergjente.

Bashkia Vau Dejës ka pasur reshje të vazhdueshme shiu dhe erë të fortë, por sipas administratorëve të zonave nuk ka problematika në territor.

Reshjet e shiut vijojnë edhe në Bashkinë Pukë, ku deri në këto momente nuk raportohen vështirësi apo dëmtime nga moti i keq.

Ndërkohë, në Bashkinë Fushë-Arrëz reshjet kanë qenë me intensitet të lartë gjatë gjithë natës dhe janë shoqëruar me ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra.

Përveç kësaj, situata mbetet e njëjtë me ditët e fundit, me prezencë uji, gurësh dhe dherash në disa akse rurale.

Drejtoria Rajonale e Rrugëve Shkodër njofton se qarkullimi automobilistik në të gjitha akset e qarkut vijon normalisht dhe aktualisht nuk ka rrugë të bllokuara. Strukturat vendore janë në ndjekje të situatës që mund të ndryshojë për shkak të reshjeve të vazhdueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco