Banorët e fshatit Lubonjë në Korçë janë alarmuar nga dëmtimet që kanë pësuar disa segmente të argjinaturës së lumit pas reshjeve të ditëve të fundit. Ata pretendojnë se situata është pasojë e punimeve të pakualifikuara, të kryera së fundmi në shtratin e lumit, dhe se mungesa e standardeve ka vënë në rrezik të gjithë zonën.
Sipas komunitetit, ndërhyrja e realizuar vetëm disa javë më parë është dëmtuar menjëherë me rritjen e prurjeve, duke e lënë fshatin të pambrojtur.
Banorët thonë se punimet janë kryer pa mbikëqyrje profesionale dhe se materialet e përdorura nuk kanë qenë të përshtatshme për të përballuar rrjedhën e lumit.
Kryetari i fshatit, por edhe disa banorë të tjerë, shprehen se problematikat kanë nisur që në momentin kur firma përfundoi ndërhyrjet.
Sipas tyre, argjinatura nuk është ndërtuar siç duhet, nuk është bërë mbushja anësore dhe nuk janë marrë masa për të devijuar rrjedhën e fortë të ujit gjatë stinës së reshjeve. Përpasojë, një pjesë e investimit është shembur, duke rrezikuar rrugën kryesore të fshatit që lidh dy lagjet.
Banorët raportojnë se uji ka depërtuar në disa banesa dhe se rrjedha ka dëmtuar bagëti, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme.
Ata thonë se në situata me reshje më të forta, gjendja mund të përkeqësohet dhe përmbytja mund të prekë një pjesë të madhe të fshatit, ku jetojnë rreth 350 banorë.
Komuniteti kërkon nga institucionet lokale dhe qendrore të ndërhyjnë me urgjencë, të verifikojnë projektin, cilësinë e punimeve dhe përgjegjësitë e firmës që ka kryer investimin.
Sipas tyre, vetëm një ndërhyrje e menjëhershme dhe profesionale mund të parandalojë përshkallëzimin e rrezikut për banesat dhe infrastrukturën e fshatit.
© SYRI.net