Edhe pse prej dy ditësh ujërat e lumit Vjosë kanë nisur të tërhiqen nga tokat bujqësore të mbjella me kulturat e stinës dhe pemtarinë, ende në disa zona brenda argjinaturës ka prezencë uji. Banorët e zonës thonë se situata e kësaj radhe ka qenë më e rënduar, pasi prurjet e lumit kanë qenë më të mëdha se vitet e kaluara.
Sipas tyre, uji arriti deri në oborret e 21 banesave, por fatmirësisht nuk depërtoi brenda tyre.
Megjithatë, rreth 40 hektarë tokë bujqësore mbetën nën pushtetin e ujit për orë të tëra. Dëmtimet më të mëdha janë raportuar në të mbjellat e jonxhës, grurit, por edhe në kulturat e pemtarisë, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme.
Gjatë bisedës me banorët e prekur, mësohet se deri tani nuk ka mbërritur asnjë komision verifikimi në terren për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.
Ata shprehen të zhgënjyer, duke theksuar se edhe në raste të mëparshme nuk kanë marrë asnjëherë dëmshpërblimet e plota që u janë premtuar nga qeveria, por vetëm një pjesë të vogël të tyre.
Për këtë arsye, këtë herë ata nuk kanë shumë shpresë se situata do të jetë ndryshe. Nga ana tjetër, situata me lumin Seman vijon të jetë problematike.
Për shkak të shkarkimeve që vijnë nga hidrocentrali i Banjës, prurjet janë rritur ndjeshëm, duke mbajtur ende nën ujë sipërfaqe të konsiderueshme tokash të mbjella.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, verifikim real të dëmeve dhe investime serioze në sistemin kullues, për të mos u përballur sërish me të njëjtën situatë.
© SYRI.net