'Puna e 20 viteve fundoset brenda natës'/ Fermeri: Përmbytjet më morën gjithçka, askush nuk ve dorë!

09:34, 25/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një natë ishte e mjaftueshme që puna e një jete të tërë të mbulohej nga uji. Fermeri Jualian Bako, banor në një nga zonat e prekura rëndë nga përmbytjet e ditëve të fundit në fshatin Sovran të Korçës, rrëfen momentet dramatike kur pa pronën dhe të ardhmen e familjes së tij të fundosej brenda pak orësh.

"Nga ora 1 e natës deri në orën 3, kur më doli gjumi, ishim komplet në ujë," tregon ai, duke përshkruar një skenë apokaliptike ku shtëpia, stalla dhe e gjithë pasuria ishin rrethuar nga uji.

Fermeri, i cili jeton vetëm nga blegtoria dhe punon rreth 3 hektarë tokë të marrë me qira, ku kultivon grurë dhe jonxhë për kafshët, tashmë sheh veten përballë një situate të pashpresë.

E gjithë familja e tij, përfshirë fëmijët e vegjël, është e angazhuar në këtë aktivitet, një situatë e bërë më e vështirë nga fakti se ai duhet të kujdeset edhe për babanë e tij invalid.

Nga studioja e 'Kafe Shqeto', Bako tha se vlera e ushqimit të dëmtuar për bagëtinë arrin në 10 milionë lekë (të vjetra). Për të përballuar dimrin, ai duhet të blejë sërish ushqim, duke e çuar dëmin total në 20 milionë lekë.

"Unë s'kam aq fuqi sa t'i përballoj të gjitha," shprehet ai. Përballë kësaj situate, atij i mbeten vetëm dy rrugë: të marrë borxh ose të shesë bagëtitë, të vetmin burim jetese për familjen. "Po sot në këtë ditë të vështirë, s'vjen asnjëri t'i blejë," shton ai me pesimizëm.

Përfaqësues të pushtetit vendor e kanë vizituar zonën ditën e ngjarjes. Ata panë dëmet dhe premtuan dëmshpërblim, por sipas fermerit, gjithçka mbeti aty.

"Erdhën, i panë, por nuk vlerësuan gjë. Thanë do çojmë raportimet në bashki dhe do vendoset," thotë ai, duke shtuar se që prej asaj dite, askush nuk është kthyer më për t'u interesuar për fatin e tyre.

Deklarata për 'Kafe Shqeto':

"Mua në, unë që në orën 1:00 isha zgjuar, pastaj në orën 1:00 më preu gjumi, nga ora 3:00 e mëngjesit kur mua më doli gjumi, ishim komplet në ujë. Komplet në ujë. Për dy orë, shtëpia ishte rreth e përqark me ujë, zahirja, stalla e bagëtive ishte komplet në ujë. Ishte, ishte e pamundur të shpëtoje dot gjë në ato momente.

Unë tokë bujqësore kam rreth, me qira të gjitha që bëhen rreth nja dy hektar e gjysëm, tre hektarë që bëhen. Për momentin vetëm grurin kemi, edhe jonxhën kemi mbjellë.

Unë vetëm me bagëti të merrem.  E gjithë familja, jo vetëm unë me nuse, babi, mamaja. Kam detyruar raste raste se unë kam edhe babin të sëmurë, është invalid, detyrohem të marr se mamaja ikën prapa babit, detyrohem të marr edhe fëmijët e vegjël të më ndihmojnë atje.

Për momentin nuk ka ujë, është mirë. Është mirë për momentin. Po unë e di, llogari me dëmeve që unë kam blerë zahire të gjitha vënë 10 milionë lekë që të nxirrja për dimër.

: 10 milionë lekë që të nxirrja bagëtitë. Për dimrin. Unë i bie tashi dhe të blej dhe 10 milionëve, 20 milionë lekë. Unë s'kam aq fuqi sa mund t'i përballoj të gjitha. I bie ose duhet të marr borxh, ose duhet t'i shes. Po sot në këtë ditë të vështirë, s'vjen asnjëri t'i blejë. Me këtë dimër, s'blen asnjëri.

Të t'i nxjerr në shitje, unë s'kam punë tjetër me se të merrem. Unë vetëm me këto merrem. Atë ditë që u mbytëm, nga ora 11:00 e drekës, se kishte ikur uji komplet, erdhën ata, i panë dëmet. Po gjerë sot, vetëm atë ditë kanë ardhur, tash nuk kanë ardhur më të na pyesin.

 Erdhën dhe thanë, do t'ju dëmshpërblejmë për dëmet që janë bërë, thanë.  Po erdhën, erdhën, i panë. Për vlerësuar nuk vlerësuan gjë. Thanë, erdhën i panë, thanë, do shpiem raportimet që janë bërë dëmet që panë. Dhe do flasim, thanë, nga bashkia, thanë, çfarë do vendoset.

Unë kam 20 vjet që banoj këtu në këtë shtëpi, në këtë ambient që jemi përmbytur. Ka 20 vjet që nuk është bërë. Edhe jo kështu, ishim përmbytur, po jo në këtë gjendje.

Po pak janë edhe të lirat që bllokuan kanalizimet e tepra, edhe kanalizimet duhet të pastrohen edhe pak më, më thellë. Nga këto erdhën, edhe shirat ishin të tepërt'.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco