Kush i shpiku dragonjtë?

Kush i shpiku dragonjtë?

13:50, 24/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga vijnë dragonjtë dhe pse vazhdojnë të ekzistojnë, edhe pse ndryshojnë në imagjinatën e njerëzve në kultura dhe kohë të ndryshme? Kjo pyetje rikthehet sërish me një ekspozitë në Paris, ku shfaqen artefakte dhe vepra arti të mrekullueshme nga Kina dhe më gjerë, ku shfaqen këto krijesa të çuditshme mbinatyrore.

Një nga gjurmët e prejardhjes së tyre mund të jetë se, edhe pse duken si një përzierje kafshësh të ndryshme, në Kinë zakonisht kanë veshët e kaut, kthetrat e shqiponjës, luspat e krapit, brirët e drerit dhe kokën e kalit, deveve ose një demoni, thelbi i tyre qenies së tyre, në shumë kultura, është ai i një gjarpri.

Ka shumë hamendësim për atë se çfarë pamjesh në natyrë i frymëzuan njerëzit të shpiknin dragonjtë. Në librin e tij të famshëm The Retreat of the Elephants, historiani Mark Elvin sugjeron se një prej frymëzimeve reale mund të ketë qenë pitoni rrjetëzor, një gjarpër gjysmë-ujor që mund të arrijë deri në tetë metra ose më shumë. Pamjet e këtyre gjarpërinjve gjigantë, së bashku me eshtrat e tyre dhe me gjetjen rastësore të mbetjeve të kafshëve të tjera gjigante, përfshirë dinozaurët, mund të kenë qenë provat më të hershme dhe më bindëse se dragonjtë mund të ishin të vërtetë. Biologu Stephen Secor shton se gazrat e hidrogjenit që dilnin nga trupat e kalbur të këtyre gjarpërinjve mund të përfshiheshin lehtësisht nga zjarret e gjuetarëve dhe të jepnin idenë se dragonjtë nxirrnin flakë.

Cilatdo qofshin mrekullitë natyrore që i frymëzuan, lidhja e gjatë e dragonjve në Azinë Lindore me ujërat jetësore i fut ata në një familje më të madhe "qeniesh të ujit", siç i quan antropologia Veronica Strang. Këto përfshijnë nāga-t e Azisë Jugore, shpirtrat dhe perënditë e lumenjve në traditat afrikane dhe Gjarprin e Ylberit në kulturat aborigjene të Australisë.

Që nga koha neolitike, të përfaqësuar në ekspozitën e Parisit nga objekte prej nefriti më shumë se 5000-vjeçarë, dragonjtë kinezë janë lidhur me forcat më të fuqishme të natyrës, sidomos me bubullimat, erën dhe shiun. Ata zakonisht janë të mëshirshëm, por mund të sjellin edhe përmbytje ose thatësira shkatërrimtare. Ata që arrinin t'i fitonin, ose t'i komandonin fuqitë e tyre të jashtëzakonshme, gëzonin autoritet të madh. Perandori, si lidhja mes qiellit dhe tokës, ishte dragoi i vërtetë dhe biri i qiellit. Në ekspozitë, figura e dragoit shfaqet në dokumente, vula dhe objekte të tjera që mbulojnë mbi 2000 vjet sundim perandorak.

Në Europë, dragonjtë kanë një prejardhje tjetër nga ata aziatikë, edhe pse duket se fillimisht kanë qenë të lidhur po ashtu me forcat që japin jetë. Në Greqinë e lashtë, drakōn, prej nga vjen fjala "dragon", ishte një gjarpër zjarri. Asklepi, perëndia e mjekësisë, thuhet në disa mite se mori dijen nga një gjarpër që i pëshpëriti në vesh; mjekët grekë përdornin gjarpërinj të qetë në ritualet e shërimit. Shkopi i Asklepit, i mbështjellë me një gjarpër, mbetet edhe sot simbol i mjekësisë.

Me ardhjen e krishterimit, i cili reagoi ndaj traditave pagane dhe në kundërshtim të plotë me traditat aziatike, dragonjtë u paraqitën si të ligj. Nga gjarpri në Kopshtin e Edenit deri te Leviathani, ata u lidhën me Satanin dhe me përbindësha të tmerrshëm. Në Librin e Zbulesës, një dragua i madh i kuq me shtatë koka, dhjetë brirë dhe shtatë kurora hidhet nga qielli nga kryeengjëlli Mikel, duke u bërë model për tregimet e Mesjetës për shenjtorët që vrasin dragonj. Shën Gjergji është më i famshmi, por edhe Margarita e Antiokisë dhe të tjerë janë kujtuar në tregime e figura të mrekullueshme.

Mitologjia nordike shtoi një tjetër shtresë në imagjinatën europiane: dragonjtë që ruajnë thesare dhe mashtrohen nga heronj të zgjuar, të cilët fitojnë fuqi magjike nga gjaku i tyre, përfshirë aftësinë për të kuptuar gjuhën e zogjve. Popullariteti i këtyre tregimeve tregon se lidhja mes dragonjve dhe forcave më të thella të natyrës nuk u humb kurrë plotësisht në Perëndim.

Fuqia e dragonjve në imagjinatën njerëzore nuk duket se do të zbehet. Në Kinë dhe gjetkë, fëmijët e lindur në Vitin e Dragoit konsiderohen me shumë fat. Në vitin 2024–25, viti më i fundit i dragoit, kjo mund të ketë sjellë rreth një milion shtatzëni dhe lindje shtesë.

Në Perëndim, dragonjtë kanë mbushur tregimet për fëmijë prej të paktën një shekulli. Ajo që nisi në fillim të shekullit XX me krijesa të thjeshta e qesharake, si "Custard", dragoi frikacak i Ogden Nash-it, u zgjerua me Smaug-un e The Hobbit dhe u bë një treg global me shumë miliarda dollarë, me botë si How to Train Your Dragon dhe universi Harry Potter. Dragonjtë shfaqen edhe në vepra për të rriturit. Në romanin fantastik The Buried Giant (2015) të Kazuo Ishiguro-s, dragoi Querig lëshon një mjegull harrese që fsheh kujtimet e mizorive të së kaluarës. Mund të thuhet se, po të mos i kishim imagjinuar dragonjtë, do të duhej t'i shpiknim.

Dhe ndoshta duhet t'i marrim dragonjtë më seriozisht sesa duken në tregimet fantastike. Gjatë karrierës së tij të gjatë, shkencëtari i klimës Wally Broecker paralajmëroi se sistemi i Tokës "është një bishë e zemëruar dhe ne po e godasim me shkopinj". Përmbytjet, thatësirat dhe zjarret e shkaktuara nga ndryshimet klimatike mund të bëjnë që, në të ardhmen, shumë më tepër prej nesh të ndiejnë "frymën e dragoit". / FT - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco