Dalja nga shtrati e lumit Vjosë ka shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në zonën e Novoselës, ku 11 familje të komunitetit rom janë prekur drejtpërdrejt nga dëmet, ndërsa 3 familje të tjera në fshatin Fitore raportojnë situatë të ngjashme.
Edhe pse kanë kaluar vetëm dy ditë nga normalizimi i situatës, pasojat e përmbytjeve janë ende të dukshme. Rreth banesave ende ka prani uji, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha.
Syri TV ka ndjekur nga afër gjendjen e krijuar në familjet e komunitetit rom, të cilat vazhdojnë të jetojnë mes frikës dhe pasigurisë. Banorët shprehen se për çdo reshje intensive rrezikojnë të përmbyten, ndërsa theksojnë se dëmet e kësaj here janë veçanërisht të rënda.
Ata tregojnë se janë detyruar të largohen përkohësisht tek të afërmit dhe të kthehen sapo uji është tërhequr, por kërkojnë një zgjidhje përfundimtare.
Sipas banorëve, ndërtimi i autostradës dhe urës së re mbi lumin Vjosë ka përkeqësuar situatën, duke ndikuar në përmbytjet e shpeshta. Për më tepër, ata theksojnë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shoqatat apo subjektet përkatëse, duke mbetur ndër më të goditurit nga përmbytjet e fundit.
Familjet e komunitetit rom në Novoselë jetojnë prej vitesh në kushte të vështira ekonomike dhe sociale, ndërsa përmbytjet e fundit ua kanë rënduar edhe më shumë situatën.
© SYRI.net