U ndërtua 2 muaj më parë, rruga në Kukës pëson dëmtime të konsiderueshme

12:51, 24/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rruga që lidh Liqenin e Kallabakut me fshatin Novosej në Kukës, e cila u përfundua vetëm dy muaj më parë me fondet e qeverisë shqiptare, është dëmtuar ndjeshëm.

Segmenti i ri prej 3.8 kilometrash, i asfaltuar në fund të shtatorit, ka shfaqur probleme të dukshme vetëm pak javë pas përfundimit të punimeve. Në disa pjesë të trasesë janë vërejtur plasaritje të asfaltit, çarje përgjatë trupit të rrugës dhe zhvendosje të skajeve anësore.

Kryeplaku i fshatrave Stanet e Novosej, Mahmut Noka, ka reaguar publikisht duke kritikuar cilësinë e punimeve.

Sipas tij, rruga është realizuar në kundërshtim me standardet teknike dhe dëmtimet e para paralajmërojnë probleme edhe më serioze gjatë dimrit. Noka i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të krijojnë një komision verifikimi për të analizuar shkaqet e dëmtimeve dhe për të ndërhyrë me masa urgjente.

Projekti është financuar nga programi “Rrugët e Bardha”, një nismë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që synon të përmirësojë infrastrukturën rrugore në zonat malore dhe të rrisë aksesin drejt pikave turistike të veriut. Ky segment konsiderohet i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Kukës, pasi lidh vizitorët me Liqenin e Kallabakut dhe me Shtegun e Ngjyrave, një prej itinerareve më të vizituara malore.

Ndërkohë, banorët presin ndërhyrjen e autoriteteve, teksa rruga vazhdon të dëmtohet përditë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco