Në qarkun e Elbasanit, reshjet e ditës së sotme kanë sjellë disa rritje të niveleve ujore dhe shtim të shkarkimeve nga hidrocentralet, duke mbajtur në vëmendje disa zona të konsideruara me rrezik potencial.
Lumi Shkumbin paraqet prurje mbi mesataren, çka kërkon monitorim të vazhdueshëm përgjatë shtratit të tij, megjithëse deri tani nuk ka shkaktuar dëmtime.
Një tjetër pikë e ndjeshme mbetet HEC-i i Banjës, i cili ka rritur shkarkimet në 150 m³/sek, përveç 100 m³/sek të prodhimit.
LEXO EDHE: Bora zbardh aksin Librazhd–Fushë Studën, reshjet rikthejnë panoramën dimërore në zonë
Ky volum i lartë shkarkimesh mund të ndikojë në zonat fushore poshtë hidrocentralit, sidomos në fushat e Sulovës që ndodhen në hartën e rrezikut në raste të tilla. Deri tani nuk ka raportime për përmbytje, por situata vazhdon të monitorohet deri në orën 21:00, kur pritet vlerësim i ri.
Ndërkohë, në zonat e larta të Steblevës kanë nisur reshje bore, duke krijuar shtresë deri në 5 cm, një element që kërkon kujdes për qarkullimin në segmentet malore.
Autoritetet vijojnë vëzhgimin e situatës, me fokus tek zonat potencialisht të prekshme nga shkarkimet dhe rritja e prurjeve.
© SYRI.net