Skandal në Shtëpinë e Foshnjës Vlorë: 11 milionë lekë në muaj për një institucion pa asnjë fëmijë

15:31, 23/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një skandal i rëndë financiar po trondit institucionin e Shtëpisë së Foshnjës Vlorë, e cila, pavarësisht se nuk ka pasur asnjë fëmijë në kujdes që prej vitit 2023, vazhdon të konsumojë 11 milionë lekë të vjetra në muaj nga buxheti i shtetit.

Sipas dokumenteve të thesarit, institucioni paguan rreth 10 punonjës, megjithëse në praktikë nuk kryhet asnjë shërbim, pasi politika e re shtetërore nuk dërgon më fëmijë jetim në këto struktura. Megjithatë, listë-pagesat vijojnë si normalisht, sikur institucionit t’i shërbenin dhjetëra të mitur.

Më absurdi mbetet fakti se shteti vijon të paguajë edhe roje, të cilët “ruajnë” një godinë plotësisht bosh. Vetëm për shërbimin e rojes paguhen deri në 970 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa fondi total për institucionin arrin çdo muaj në shifra të papranueshme për një qendër pa asnjë funksion real.

Në një kohë kur shumë familje shqiptare përballen me vështirësi të thella ekonomike, në Vlorë derdhen para publike për një institucion që ekziston vetëm në letra, ndërsa në realitet nuk ofron asnjë shërbim.

Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e fondeve publike, mbi kontrollin institucional dhe mbi logjikën e vazhdimit të pagesave për punonjës e shërbime që nuk justifikohen as minimalisht.

Një histori që kërkon sqarim urgjent nga institucionet përgjegjëse dhe transparencë të plotë ndaj qytetarëve.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco