Krujë/ Banorët e Borizanës në protestë: Gurorja 20-vjeçare po u rrezikon jetën, përroi i devijuar përmbyt fshatin

12:03, 22/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banorë të fshatit Borizanë të Krujës janë ngritur sot në protestë. 
Shkak është bërë situata kritike e 72 orëve më parë, ku rrethi i Krujës u përfshi nga reshje intensive shiu.

Në fshatin Borizanë operojnë disa gurore, disa prej të cilave fare pranë banesave.

Në rastin konkret, një gurore e cila ndodhet rreth 100 metra larg banesave po u shkakton këtyre banorëve mjaft dëme e shqetësime.

Banorët shprehen se kjo gurore ka 20 vjet që atyre u shkatërron shtëpitë dhe pronat. Edhe pse janë ankuar me dhjetëra herë në prokurori, polici, bashki, asnjë masë nuk është marrë ndaj tyre.

Madje disa banorë janë në procese gjyqësore me kompaninë që zotëron guroren.

Gurorja, sipas tyre, është në pronësi të Shpresiona Shima, e cila zotëron kompaninë "Shpresiona Albania shpk", që operon në këtë vend prej rreth 20 vitesh.

Banorët thonë se gurorja ka bllokuar përroin e Maçanës, i cili buron në mënyrë natyrore fare pranë gurores.

Përroi është ekzistues prej shekujsh, thonë banorët, dhe rridhte në rrjedhën e vet natyrore, të cilën gurorja e ka devijuar e bllokuar. Kjo ka bërë që sasi të frikshme uji të hyjnë nëpër rrugët, bahçet e shtëpitë e banorëve, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe të frikshme.

Janë rreth 1200 banorë të Borizanës të cilët rrezikohen e dëmtohen në mënyrë të vazhdueshme nga shpërthimet e gurores, por edhe nga bllokimi i përroit.

Në vitin 2018 Ministria e Mjedisit, pas një peticioni të bërë nga banorët për mbylljen e gurores, u ka kthyer përgjigje duke i siguruar se gurorja do të mbyllej, por edhe pse jemi në 2025, vendimi nuk është zbatuar.

Ata bëjnë apel që shteti të marrë masa ndaj kësaj situate, e cila çdo ditë që kalon po kthehet në problem gjithnjë e më serioz për këta banorë.

“Shteti ose të na largojë neve nga këtu, ose të largojë guroren, pasi nuk mundemi më të jetojmë kështu, duke paguar lekë nga xhepi çdo vit për të ndrequr dëmet që na shkakton gurorja.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco