16 objekte në hyrje e dalje të Bashkisë së Librazhdit, të cilat preken nga projekti i autostradës së re që kalon në zonë, do të shemben totalisht. Luciano Skura, një prej biznesmenëve dhe banorëve të prekur, është lajmëruar vetëm dy ditë më parë se biznesi i tij, në të cilin ka derdhur gjithë mundin e jetës, do të prishet ditën e sotme dhe se do të duhet të largohen menjëherë.
Ai shprehet se ende nuk e ka marrë dëmshpërblimin e plotë, ku vlera e shpronësimit ishte 500 milionë lekë, nga të cilat ka mundur të marrë vetëm 410 milionë. Për të marrë pjesën e mbetur do t’i duhet t’i drejtohet dyerve të gjykatës.
Për të, kjo situatë është e papranueshme dhe e vështirë, pasi kjo është gjithë pasuria e jetës së tij. Ndonëse thotë se shtetit ia ka shlyer çdo detyrim që në fillim, tani nuk po arrin të marrë atë që i takon dhe nuk beson se do të fitojë ndonjëherë drejtësinë në këtë shtet. I detyruar, ai ka marrë punonjës për të liruar godinën 4-katëshe, ku edhe banon me familjen e tij.
Veç të tjerash, ai shprehet se dëmshpërblimi është shumë i ulët për metër katror dhe se do të detyrohet të dalë në ndonjë banesë me qira ose të largohet jashtë vendit, pasi siguria dhe drejtësia këtu është jashtë funksionit.
Për projektin e kësaj autostrade shpesh herë janë organizuar protesta edhe nga banorët e fshatit Hotolisht, të cilët kanë kërkuar disa herë rishikim të projektit, por zëri i tyre ra në vesh të shurdhër.
© SYRI.net