Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problemesh serioze në rrugët rurale të qarkut Kukës, duke lënë qindra banorë të izoluar dhe në mëshirë të fatit.
Sipas raportimeve nga terreni, shumë akse rurale janë dëmtuar rëndë, ndërsa në disa prej tyre ka prani gurësh dhe dherash që kanë bllokuar qarkullimin. Më e goditura mbetet
Njësia Administrative Zapod, ku bllokimi i rrugëve kryesore ka krijuar vështirësi të mëdha në lëvizjen e banorëve.
Fshatrat Pakisht, Cërnalevë, Orgjost, Zapod dhe Kolosh vijojnë të jenë të bllokuar për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës rrugore. Ndërkohë, probleme të ngjashme raportohen edhe në fshatrat Bele, Lojme, Nimç, Turaj, Xhferaj dhe Borje të njësive Topojan dhe Shishtavec.
E bllokuar është edhe njësia administrative Ujmisht.
Banorët shprehen se deri më tani nuk është ndërhyrë nga Bashkia Kukës për pastrimin e dherave dhe gurëve që kanë zënë rrugët, duke i lënë komunitetet të përballen të vetme me situatën e rënduar. Disa prej tyre janë detyruar të rrezikojnë jetën duke lëvizur me mjetet e tyre në rrugë të paasfaltuara dhe të rrezikshme.
© SYRI.net