Situata paraqitet tepër e rënduar në fshatin Navaricë të bashkisë Finiq, ku moti i keq gjatë orëve të fundit ka shkaktuar dëme të mëdha. Përroi i fshatit, i tejmbushur nga prurjet e shumta, ka dalë nga shtrati duke krijuar probleme serioze për banesat dhe bizneset e banorëve.
Sipas kryeplakut të fshatit, Hamza Tamo, përroi i Navaricës po sjell sasi shumë të mëdha uji dhe dherash nga mali, me rreth 10 metra kub dhera në sekondë. Kjo ka bërë që rrjedha të përshpejtohet ndjeshëm, duke dëmtuar infrastrukturën e fshatit.
Për pasojë, të gjitha rrugët e fshatit janë shkatërruar, ndërsa të gjitha fushat bujqësore janë përmbytur. Gjithashtu, kanalet kulluese janë bllokuar plotësisht, duke e përkeqësuar edhe më shumë situatën dhe duke e bërë të domosdoshme një ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e tyre.
Banorët e zonës kërkojnë ndihmë urgjente nga bashkia dhe institucionet përkatëse, ndërsa autoritetet pritet të vlerësojnë nga afër dëmet dhe të marrin masat e nevojshme për normalizimin e situatës.
© SYRI.net