Përroi i Sopotit dëmton argjinaturën, uji përmbyt lagjen në Lazarat. Liqeni i Viroit në limitet e tij

08:28, 19/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Prurjet e larta të ujit në Përroin e Sopotit, në Lazarat të Gjirokastrës kanë shkaktuar dëmtime serioze në argjinaturë, e cila është gërryer nga poshtë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shembjen e saj. Si pasojë, në rrezik paraqitet edhe rruga e betonit që kalon përgjatë argjinaturës, e cila mund të dëmtohet më tej nëse situata vijon të përkeqësohet.

Banorët e zonës raportojnë se gjatë orëve të fundit niveli i ujit është rritur ndjeshëm, duke përshpejtuar gërryerjen e bazamentit të argjinaturës.

Për të shmangur dëmtime të tjera dhe për të rikthyer sigurinë në qarkullim, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme me mjete të rënda, përfshirë skrepin, për të stabilizuar strukturën dhe për të forcuar skajet e dëmtuara.

Ndërkohë, gjatë natës janë shfaqur problematika të tjera në zonë. Përroi i Sopotit në Lazarat ka krijuar shqetësime shtesë, ndërsa në rrugën e fshatit Asim Zeneli ka pasur një shkarje dheu. 

Liqeni i Viroit ndodhet në kufijtë maksimalë të nivelit të ujit, por deri tani nuk paraqiten probleme për qarkullimin në pjesën përreth. Në monitorim është edhe përroi i Çullos në lagjen Gerhot, ku autoritetet po ndjekin nga afër situatën për të marrë masa të shpejta nëse do të jetë e nevojshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco