Hasan Ceka, themeluesi i arkeologjisë shqiptare u kujtua në Akademinë e Shkencave për kontributet që ngritën shkencën arkeologjike dhe pasuruan studimet ilire e numizmatike. Përmes kujtimeve të të birit, Neritan Ceka, u theksoi se sot arkeologjia vuan nga mungesa e financimeve, një realitet që do ta kishte dëshpëruar thellësisht vetë Cekën, të atin.
Në Akademinë e Shkencave u zhvillua një veprimtari përkujtimore kushtuar Hasan Cekës, një prej figurave më të ndritura të arkeologjisë shqiptare. I biri, arkeologu Neritan Ceka, tregoi se ndonëse Hasan Ceka u luftua nga sistemi, ai mbetet i pari studiues që u hapi rrugën gërmimeve arkeologjike të kryera nga shqiptarët.
Në aktivitet u përmend lidhja e thellë shpirtërore e Hasan Cekës me Apolloninë, ku ai u evidentua për punën e tij dhe i dha qytetit statusin e një qendre të rëndësishme kërkimore. Po aty, ai u bë studiuesi i parë shqiptar i monedhave antike, duke vendosur bazat e numizmatikës ilire.
I pyetur nga Syri Tv për arkeologjinë e djeshme dhe sfidat e së sotmes, Ceka u shpreh se Hasan Ceka do të ishte i dëshpëruar nga mungesa e financimeve dhe nga vëmendja e pakët institucionale ndaj kësaj fushe.
Ai ndau edhe kujtime të hershme për mënyrën se si i ati e futi në terren qysh fëmijë, duke i mësuar punën nga toka deri te instrumentet e studiuesit.
Hasan Ceka do të kujtohet gjithmonë për themelin e fortë që i dha arkeologjisë shqiptare.
© SYRI.net