Prej gati 24 orësh Shqipëria është goditur nga era e fortë dhe nga reshje të dendura shiu, të cilat pritet te vijojnë edhe në orët në vazhdim. Reshjet kanë përmbytur toka, por gjithashtu era e fortë ka shkaktuar dëme në rrëzimin e pemëve ne rrugë.
Syri TV
Moti i keq që ka përfshirë Shqipërinë prej gati 24 orësh ka shkaktuar përmbytje, por gjithashtu edhe pezullim të lundrimeve në det. Reshjet e shiut por edhe era e fortë kanë sjellë përmbytje të tokave bujqësore, por gjithashtu edhe mungesë të energjisë elektrike në disa zona të vendit.
Sipërfaqe të mëdha me të mbjella janë mbuluar nga uji në Bashkinë Krujë. Niveli i ujit ka arritur në pikën alarmante dhe nëse reshjet do të vijojnë me intensitet, rrezikojnë të përmbyten edhe banesa e biznese, pasi kanalet kulluese nuk funksionojnë. Situata me problematike paraqitet ne fshatin Murqine, ku uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokash.
Probleme janë raportuar edhe në qarkun e Shkodrës, ku segmenti rrugor Breg Lumi–Theth është dëmtuar rëndë. Ndërkohë një shtëpi në Preknicaj të Malësisë së Madhe është djegur plotësisht. Zjarri në banesën dy katëshe ka rënë rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndërkohë që shkak dyshohet të jenë shkarkesat atmosferike. Në Bashkinë Vau Dejës dhe Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.
Moti i keq ka goditur edhe Vlorën. Erërat e fuqishme kanë rrëzuar disa pemë në zona të ndryshme të qytetit, duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet. Ndërkohë në Pyllin e Sodës, disa pisha janë shkulur nga era duke bllokuar segmentet kryesore të rrugës.
© SYRI.net