Banor i Shpërdhetit: Rruga është shkatërruar totalisht, bashkia s’ka reaguar kurrë’

Banor i Shpërdhetit: Rruga është shkatërruar totalisht, bashkia s’ka reaguar kurrë’

13:55, 18/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një banor i fshatit Shpërdhet, në bashkinë Kurbin, në një deklaratë për Syri Televizion, tha se situata e rrugës që lidh zonën me pjesën tjetër të fshatit është bërë e pakalueshme pas reshjeve, ndërsa institucionet lokale nuk kanë marrë asnjë masë.

Image

Sipas tij, prej vitesh banorët e Shpërdhetit dhe të Kurbinit përballen me të njëjtin problem, ndërsa premtimet e bashkisë kanë mbetur vetëm në letër.

“Edhe unë, si të gjithë banorët e fshatit Shpërdhet, kemi bërë shumë ankesa për këtë rrugë, por asgjë nuk është bërë. Erdhi një herë bashkia dhe na bëri një rrugë provizore, por rruga nuk bëhet tani, rruga bëhet në verë.”

Banori tregon se situata është aq e rëndë, sa edhe varrezat e fshatit janë bërë të pakalueshme.

“Fshati ynë ka varrezat lart. Larg qoftë, po të na vdesë një njeri, si ta çojmë? Vetëm duke e mbajtur në krahë, se makinë nuk kalon.”

Ai shprehet se banorët kanë dërguar dhjetëra letra në bashki, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Bashkisë i kemi çuar 100 herë letra, por nuk reagojnë. Jo vetëm ky fshat, edhe fshatra të tjerë janë kështu, por askush nuk vë dorë.”

Rruga është e mbuluar me gropa të thella dhe reshjet e fundit kanë shkaktuar rrëshqitje, duke e bërë të pamundur qarkullimin. Banori thotë se situata po prek veçanërisht fëmijët dhe familjet e moshuara.

“Dy kilometra rrugë janë, i lëmë makinat larg, i çojmë fëmijët në shkollë, na vijnë pis për së dyti. Rruga është skandal.”

Ai thekson se banorët nuk kërkojnë investime të mëdha, por vetëm një ndërhyrje minimale për pastrim dhe sistemim.

“Edhe me zhavorr lumi e duam, jo me asfalt, vetëm mos të rrijmë kështu.”

Banori shton se sot është dita e dytë që nuk mund të shkojë në punë, ndërsa rruga vijon të mbetet e bllokuar.

“Sot është dita e dytë që nuk kam ku të shkoj, nuk kam rrugë të kaloj. Po të më sëmuret fëmija sot, çfarë të bëj? Ta marr me helikopter?!”

Banorët e Shpërdhetit kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia Kurbin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco