Tonelata të tëra me lakër kanë mbetur pa u mbledhur në parcelat e Divjakës, ndërsa situata po kthehet në një krizë të vërtetë për fermerët e zonës. Këtë vit bujqësor, në bashkinë e Divjakës janë mbjellë rreth 300 hektarë me lakër të bardhë, me një pritshmëri prej rreth 1800 tonësh prodhim. Por pavarësisht sasisë së madhe, tregu ka rënë ndjeshëm.

Aktualisht, çmimi i shitjes së lakrës në tregun e shumicës së Divjakës është vetëm 70 lekë të vjetra për kilogram, një vlerë që fermerët e konsiderojnë katastrofike. Ata thonë se me këtë çmim janë tërësisht të falimentuar.
“Vetëm fidanin e blejmë 60–70 lekë të vjetra. Pastaj vijnë punimet e tokës, plehrat, spërkatjet, vaditjet, punëtorët për vjelje, transporti… Çdo gjë është kosto”, shprehen fermerët e Divjakës, të cilët kanë mbetur me prodhimin stok në ara.
Kostoja mesatare për prodhimin e 1 hektari lakër arrin rreth 7 milionë lekë të vjetra. Një hektar prodhon rreth 65 tonë lakër, por me çmimin aktual të tregut, rreth 80 lekë të vjetra për kilogram, fermeri mund të marrë vetëm 5.2 milionë lekë, shumë më pak se shpenzimet e kryera.
Situata është përkeqësuar edhe më shumë nga fakti se pikat e grumbullimit që punojnë me eksport nuk po marrin lakër, duke e lënë tregun vendas të mbingopur dhe duke e ulur çmimin në nivele të papërballueshme.
Fermerët i bëjnë thirrje institucioneve që të ndërhyjnë urgjentisht, për të gjetur zgjidhje, në të kundërt rrezikojnë të braktisin prodhimin.
© SYRI.net