Prodhimi i ulët për shkak të kushteve të motit, mungesa e fuqisë punëtore dhe lënia në harresë nga shteti janë disa nga problematikat me të cilat përballen fermerët e prodhimit të ullirit në Elbasan. Fermerët shprehen se vaji i ullirit do të ketë rritje çmimi, ndërsa bëjnë apel për ndihmë nga shteti.
Fermerët në njësinë administrative Shushicë të bashkisë Elbasan shprehen të zhgënjyer, pasi këtë vit prodhimi i ullirit është i dobët krahasuar me vitet e mëparshme. Shkak për këtë, sipas tyre, ka qenë thatësira dhe i nxehti gjatë periudhës së lulëzimit, si dhe vështirësitë me vaditjen.
Nga ana tjetër, ata theksojnë se një problematikë e madhe në zonë është mungesa e fuqisë punëtore.
Çmimi i vajit të ullirit këtë vit pritet të jetë më i lartë se vitet e kaluara, ku litri do të arrijë 8-9 mijë lekë të vjetra, por sërish sasia e pakët e ullinjve bën që fermerët të dalin me humbje.
Zona është e njohur për varietetet e shumta të ullirit, por ndonëse ka një potencial të madh, nuk ka marrë asnjëherë ndihma apo subvencione nga shteti.
© SYRI.net