Zona e Shmilit është një ndër zonat më të njohura për prodhimin e gështenjave, ku vitet e shkuara prodhimi arrinte deri në 300 ton. Ndërkohë, ky vit nuk ka qenë i mirë sipas fermerëve, dhe shkak për këtë vazhdon të mbetet mungesa e vaditjes, por edhe kushtet klimatike. Nga ana tjetër, banorët shprehen se mungon edhe fuqia punëtore në zonë.
Këtë vit, prodhimi i gështenjave ka qenë më i ulët se çdo vit tjetër në zonën e Shmilit, ndonëse ajo mbetet një nga zonat më të njohura në vend për prodhimin e këtij produkti.
Fermerët shprehen se, përveç prodhimit të ulët, edhe çmimi nuk është i kënaqshëm.
Në nisje të sezonit, çmimi ishte jo më shumë se 150 lekë të reja për kilogram, ndërsa tani është ulur në 100 lekë të reja.
Shumica e prodhimit të zonës shkon për eksport në Francë dhe Itali, ndërsa sasia që konsumohet në tregun vendas është e ulët.
Kjo ndodh për shkak të cilësisë së produktit, e cila ka ardhur në renie si pasojë e mungesës së ujit për vaditje, problem ky i theksuar në zonë, për të cilin deri më sot nuk është ndërhyrë.
Ndikim negativ në pemët e gështenjave ka pasur edhe mungesa e shërbimit, pasi në zonë nuk ka fuqi punëtore.
Ndonëse në kulmin e sezonit punëtorët kërkohen dhe paguhen rreth 30 mijë lekë të vjetra, largimi masiv i të rinjve ka bërë që në zonë të mungojë krahu i punës.
Të vetmit banorë që mbledhin gështenjat janë ata të moshës së tretë, të cilët detyrohen ta bëjnë këtë proces vetë, ndonëse është i vështirë dhe i mundimshëm.
Ata shprehin zhgënjimin e tyre për këtë situatë dhe mungesën e vlerësimit, pasi mundi i gjithë vitit u shkon dëm, ndërsa deri më sot gjithçka e kanë kryer me forcat e veta, pa asnjë ndihmë nga shteti.
© SYRI.net