Në fshatin Babicë të Vlorës, mungesa e ujit të pijshëm është kthyer në një shqetësim të përditshëm për qindra banorë.
Prej më shumë se dy muajsh, rubinetat në shtëpitë e tyre janë tharë plotësisht, duke i detyruar njerëzit të sigurojnë ujin përmes boteve private, me një kosto që arrin deri në 2000 lekë në ditë për familje.
Banorët thonë se kanë kërkuar ndihmë dhe zgjidhje nga Drejtoria e Ujësjellësit dhe nga Bashkia e Vlorës, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete.
“Kemi shkuar disa herë të flasim me institucionet, por asnjë s’na dëgjon. Jemi lodhur duke blerë ujë çdo ditë,” – shprehen banorët.
Në Babicë jetojnë rreth 1200 familje, të cilat, sipas tyre, përballen çdo vit me të njëjtin problem, veçanërisht gjatë muajve të verës. Edhe kur uji vjen rrallë, ai është i ndotur dhe i papërdorshëm për konsum.
Kryeplaku i Babicës së Madhe, në një reagim për mediat, u shpreh i indinjuar:
“Mos të vijnë më të bëjnë fushata në lokalin tim, se kanë vite që nuk pyesin për ne. Vetëm premtime, asgjë tjetër.”
Banorët e Babicës kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar mungesën e ujit të pijshëm në vitin 2025, vetëm pak kilometra nga qyteti i Vlorës, si një shenjë të qartë neglizhence dhe harrese nga pushteti vendor.
© SYRI.net