SYRI TV/ Tenderi që rrezikon nisjen e shkollave në Kukës, mësuesit e nxënësit mbeten pa transport

13:01, 05/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Burokracitë shtetërore dhe mos finalizimi i një tenderi, rrezikon të lërë pa mësim në ditën e parë të shkollës mijëra nxënës në zonat rurale të Kukësit.

Pak ditë më parë, në telefonin e mësuesve në zonat rurale të Kukësit, nga Zyra Vendore Arsimore ka mbërritur ky mesazh që shihni në ekran, ku arsimtarëve u kërkohet të gjejnë privatisht zgjidhje individuale për transportin dhe të mos mungojnë ditën e hënë në shkollë.

Këtë situatë e konfirmon mësuesi i Biologji-Kimisë, Besmir Muslia, i cili të hënë duhet të shkojë në shkollën “Hamdi Pelivani” në fshatin Orgjost. 

Problemi nisi në muajin qershor të këtij viti, kur Zyra Vendore e Arsimit dështoi të zhvillonte një tender për gjetjen e një operatori ekonomik, që do të kryente transportin e mësuesve dhe nxënësve në shkollat rurale të Kukësit.

Dhe pa u munduar më shumë, Zyra Arsimore i ra shkurt, ku nën pretendimin e subencionimit të pagesës në llogaritë bankare të tyre, u kërkoi mësuesve që të gjejnë zgjidhje private për të shkuar në vendin e punës. Por pagesa që ofron ZVA si kompesim për transportin e mësuesve, tejkalon kostot reale të tij.

Edhe nxënësit që jetojnë larg shkollës janë prekur rëndë nga kjo situatë. Mungesat e tyre janë shtuar ndjeshëm dhe pritet që gjatë dimrit, kur rrugët bëhen edhe më të pakalueshme, numri i mungesave të rritet edhe më shumë.

Ndërsa autoritetet heshtin dhe asnjë zgjidhje konkrete nuk ofrohet, mësuesit dhe nxënësit e Kukësit janë lënë në mëshirë të fatit – të detyruar të luftojnë çdo ditë për të shkuar në shkollë. Arsimi në zonat rurale vazhdon të mbetet peng i mungesës së infrastrukturës dhe vëmendjes institucionale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco