Paralajmërimi për rrebeshe shiu dhe stuhi, Ekspertja: Kujdes me vërshimet në zonat urbane, shmangni daljet e panevojshme këtë fundjavë

11:45, 30/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në intervistën e ditës në SYRI TV, Anira Gjoni, eksperte e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), u shpreh se fundjava do të sjellë reshje me intensitet të lartë në veri dhe në qendër të vendit. Sipas Gjonit, shtrëngatat me intensitet të lartë mund të krijojnë probleme dhe vershime në zona urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve.

Rajonet më të prekura do të jenë Shkodra, Kukësi, Dibra, Lezha, Durrësi, Tirana, Fieri dhe Vlora, ku pritet që intensiteti i reshjeve të jetë më i lartë. Në këto qarqe, reshjet do të jenë intensive dhe mund të shkaktojnë problematika me vershimet e ujit, kryesisht në zonat urbane. Megjithatë, ekspertja theksoi se nuk priten përmbytje të mëdha, por mund të ketë vështirësi në sistemet e kanalizimeve.

Për qarqet Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër, Gjoni theksoi se priten reshje mesatare, ndërsa në qarqet Tiranë, Lezhë, Durrës dhe Fier, reshjet pritet të jenë intensive, duke sjellë mundësi për shtrëngata të mëdha. Po ashtu, në zonat malore mund të ketë problematika me rrëshqitjet e dherave dhe vershimet e lumenjve të vegjël.

Paralajmërimi për reshje është i vlefshëm për sot dhe gjatë paradites së nesërme, me një normalizim të motit që pritet pas kësaj periudhe. Sipas Gjonit, gjatë javës së ardhshme, pas një fundjave me reshje, temperaturat do të ulen gradualisht. Shtatori pritet të ketë temperatura të larta, kryesisht gjatë javës së dytë, por pas mesit të muajit priten ulje të mëtejshme të temperaturave.

Në përfundim, eksperti theksoi se reshjet e mëdha të pritura nuk do të jenë të përhershme dhe do të kthehet një normalizim i kushteve atmosferike pas ditës së martë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco