Sinoptikani grek Sakis Arnaoutoglou paralajmëron qytetarët dhe turistët për përkeqësim të rëndë të motit në zonat perëndimore dhe veriperëndimore të Shqipërisë. Priten reshje të dendura shiu, stuhira me vetëtima, breshër i fortë dhe përmbytje të mundshme.
Fenomenet më intensive do të ndodhin nga mesdita e së shtunës dhe mund të zgjasin deri të dielën në mesditë. Situata paraqitet serioze, sidomos në zonat e ulëta dhe pranë lumenjve, ku rreziku për përmbytje është i lartë.
Kujdes maksimal në rrugë: Policia Rrugore apelon për respektimin e shpejtësisë, shmangien e alkoolit dhe sjelljeve të rrezikshme, përdorimin e rripit të sigurimit dhe të jelekëve fosforeshentë për motomjetet. Qytetarët duhet të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë stuhisë.
Paralajmërime për detin: Dalja e mjeteve lundruese të vogla dhe peshkarexhave jashtë gjirit të Vlorës, si dhe në Sarandë, Ksamil dhe Borsh, është ndaluar deri në përmirësimin e kushteve. Autoritetet bëjnë thirrje për respektim të rreptë të këtyre masave, pasi situata është e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja serioze për jetën dhe pronën.
LEXO EDHE: Përkeqësimi i motit/ Ndalohet çdo dalje në det e mjeteve lundruese në Sarandë
© SYRI.net