Në botën moderne, ekranet janë gjithkund dhe ka debate të vazhdueshme midis prindërve dhe ekspertëve nëse fëmijët e vegjël duhet t’u ekspozohen atyre. Por cili është realisht ndikimi i kohës para ekranit në zhvillimin neuropsikologjik të një fëmije?
Shumë shoqata pediatrike këshillojnë kufizimin e kohës para ekranit, sidomos për fëmijët nën pesë vjeç, por studimet tregojnë se ndikimi nuk është bardh e zi, përmbajtja dhe konteksti janë thelbësorë.
Efektet fizike
Studime të ndryshme tregojnë se përdorimi i zgjatur i ekraneve mund të shkaktojë lodhje të syve, tharje dhe miopi te fëmijët. Për më tepër, teknologjia nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë përvojat natyrore që u duhen fëmijëve, si loja e lirë, aktiviteti fizik, kontakti me natyrën dhe ndërveprimi me të tjerët. Zëvendësimi i tyre me ekranin rrit rrezikun për obezitet, dëmtime të shikimit dhe vështirësi në të nxënë.
Efektet neuropsikologjike
Përtej efekteve fizike, ka shqetësime për ndikimin në vëmendje, gjuhë dhe rregullimin emocional. Një përmbledhje e 102 studimeve me fëmijë nën 3 vjeç tregon se nuk është vetëm sasia që ka rëndësi, por edhe si dhe me kë përdoret ekrani.
Për shembull, nëse një i rritur komenton apo ndërvepron me përmbajtjen bashkë me fëmijën, të nxënit dhe përqendrimi përmirësohen. Ndërsa ekspozimi pasiv ose pa mbikëqyrje rrezikon zhvillimin e trurit. Edhe televizioni që punon në sfond ndërhyn në lojë dhe vëmendje, edhe nëse fëmija nuk e sheh drejtpërdrejt.
Ekranet mund të jenë mjete të vlefshme për të nxënë, por vetëm kur përdoren për qëllime edukative dhe me mbështetje nga të rriturit.
Problemi i vërtetë: përmbajtja e papërshtatshme
Rreziku kryesor nuk është vetë ekrani, por përmbajtja. Ekspozimi i hershëm ndaj përmbajtjes jo të përshtatshme lidhet me probleme në vëmendje, vetëkontroll dhe të nxënë. Fëmijët që shikojnë televizor rregullisht në moshën dyvjeçare tregojnë më vonë probleme në funksione ekzekutive si planifikimi, përqendrimi dhe gjuha.
Përdorimi i tepërt i platformave si YouTube ndikon negativisht në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve 2-3 vjeç. Kjo lidhet me mungesën e ndërveprimit social, i cili është vendimtar për zhvillimin e trurit.
Studime të tjera kanë treguar lidhje midis televizorit të tepërt dhe hiperaktivitetit në moshën 7 vjeç, si dhe rezultate më të dobëta në matematikë dhe fjalor. Ekspozimi i vazhdueshëm midis 15 dhe 48 muajsh trefishon gjasat për vonesa në gjuhë.
Po përmbajtja edukative?
Këtu gjërat ndryshojnë. Përmbajtja edukative, sidomos ajo që shoqërohet me ndërveprim, mund të ketë efekte pozitive. Programe digjitale për fëmijët 4-6 vjeç kanë treguar përmirësime në vëmendje, kujtesë pune dhe madje edhe inteligjencë.
Përmbajtja me rrëfim të pasur ndihmon në zhvillimin e gjuhës dhe koncepteve hapësinore e numerike te fëmijët 3-4 vjeç. Në fëmijët me rrezik social, teknologjia ka ndihmuar në rregullimin emocional dhe kujtesën. Te fëmijët me autizëm, ndërhyrjet digjitale përmirësojnë vëmendjen dhe ndërveprimin shoqëror.
Te fëmijët me vonesa gjuhësore 2-4 vjeç, kombinimi i teknologjisë me ndërveprimin familjar përmirëson ndjeshëm zhvillimin gjuhësor.
Gjithsesi, provat për përfitime neuropsikologjike janë më të forta pas moshës 6 vjeç, kur efektet e përdorimit të teknologjisë shfaqen edhe në jetën e përditshme.
Lëvizja, eksplorimi dhe shoqërimi
Edhe pse teknologjia mund të ndihmojë, ajo nuk mund të zëvendësojë lojën e lirë, lëvizjen dhe shoqërimin. Megjithatë, nëse integrohet në mënyrë të qëllimshme, teknologjia mund të nxisë aktivitetin fizik e social. Për shembull, lojërat me objekte të zgjuara apo aplikacionet me realitet të shtuar mund të motivojnë lëvizjen dhe ndërveprimin.
Rekomandimet e ekspertëve
Akademia Amerikane e Pediatrisë këshillon që fëmijët nën 18 muaj të mos përdorin fare ekranet (përveç video-thirrjeve). Midis 18-24 muajsh mund të shikojnë përmbajtje cilësore, gjithmonë me një të rritur. Për fëmijët 2-5 vjeç, rekomandohet maksimumi një orë në ditë dhe gjithmonë përmbajtje edukative.
Këshillohet gjithashtu që ekranet të përdoren për të mësuar, jo si shpërqendrim, dhe të shmangen para gjumit. Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron maksimumi 1 orë në ditë për fëmijët 2-4 vjeç dhe deri në 2 orë për moshat 5-17 vjeç.
Ekranet nuk janë armiku
Të thuash "ekranet janë të këqija" është njësoj si të thuash se letra është e dëmshme për shkak të librave që shtypen mbi të. Nuk është mjeti problemi, por përmbajtja, konteksti dhe cilësia e ndërveprimit.
Sfida e vërtetë është të ruhet ekuilibri dhe të përdoret teknologjia në mënyrë të dobishme, pa zëvendësuar lojën, kontaktin njerëzor dhe përvojat reale që janë jetike për zhvillimin e një fëmije. / The Conversation - Syri.net
© SYRI.net