Viti i ri shkollor do të nisë më datë 8 shtator, të hënën e dytë të shtatorit. Ministria e Arsimit miratoi udhëzimin për strukturën e vitit shkollor, i cili përfshin të gjitha ciklet, përfshirë shkollat e arsimit bazë 9-vjeçar, shkollat e mesme të përgjithshme, por edhe arsimin profesional.
Pushimet e dimrit, për të gjithë arsimin parauniversitar, nisin më 22 dhjetor, ndërsa rikthimi në shkollë bëhet pas festave të fundvitit, më 5 janar 2026.
Pushimet në mbyllje të semestrit të dytë për shkollat e arsimit 9-vjeçar do të fillojnë më 30 mars dhe përfundojnë më 3 prill 2026.
Mbarimi i shkollës, me përjashtim të maturantëve që e mbyllin vitin shkollor më 15 maj 2026, për të gjithë nxënësit e tjerë nga klasa e parë deri në vitin e dytë të gjimnazit, do të jetë më 12 qershor 2026.
Provimet kombëtare të arsimit bazë, por edhe provimet e Maturës Shtetërore, do të zhvillohen brenda muajit qershor.
Për vitin shkollor 2024–2025, u regjistruan 12.363 nxënës më pak në shkolla në të gjithë Shqipërinë krahasuar me vitin paraardhës. Më pak nxënës pritet të jenë edhe këtë vit shkollor, nxitur edhe nga emigracioni dhe ulja e lindshmërisë.
Tjetër sfidë është edhe siguria në shkolla, për të cilën prindërit shpeshherë kanë kërkuar shtimin e numrit të oficerëve të sigurisë dhe të psikologëve shkollorë.
© SYRI.net