Në një zë, banorët e fshatit Hormovë në Gjirokastër akuzojnë kryeplakun e fshatit, Shkëlqim Zeka, se nuk i përfaqëson. Ata shkojnë edhe më tej, duke deklaruar se persona të lidhur me kryeplakun kanë dhunuar disa banorë. Për këtë arsye, ata kanë bërë kallëzim në prokurori dhe kanë mbledhur firma për të kërkuar largimin e kryeplakut.
Banorët e fshatit Hormovë kanë dalë kundër kryeplakut të tyre, Shkëlqim Zekës, duke e akuzuar se nuk i përfaqëson dhe nuk mban komunikim me komunitetin. Sipas tyre, kryeplaku nuk ka përgatitjen e duhur për këtë detyrë, pasi ka vetëm katër klasa të ciklit fillor.
Një prej banorëve është dhunuar (shih foton) nga persona të lidhur me kryeplakun e fshatit, pasi kundërshtonte qëndrimin e Shkëlqim Zekës në detyrë. Kjo ngjarje i është referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për hetime të mëtejshme.
Banorët pohojnë se janë ankuar edhe pranë Këshillit Bashkiak të Tepelenës, por janë informuar se vendimi për përzgjedhjen e kryeplakut merret nga Komisioni i Antarsisë.
Ne jemi interesuar pranë Bashkisë Tepelenë, ku kryetarja Julinda Karteri ka pohuar se është në dijeni të problematikës, por ka theksuar se banorët duhet të ndjekin procedurat ligjore për të kërkuar të drejtat e tyre.
Ndërkohë, banorët e Hormovës kanë mbledhur mbi 60 firma të komunitetit që kërkojnë largimin e kryeplakut aktual, i cili mban këtë detyrë prej dy vitesh.
© SYRI.net