Në një denoncim nga studioja e “Kafe Shqeto” në Skype, Verushe Kurtezi ka treguar për dramën e saj personale që po kalon prej shtatorit të vitit 2024.
Pas shumë viteve jetese jashtë vendit, ajo është kthyer në Shqipëri me shpresën për të marrë tapinë e tokës së familjes së saj në Belsh, por për shkak të pengesave burokratike dhe mosnjohjes së së drejtës pronësore, është detyruar të flejë në makinë, përpara Hipotekës së Elbasanit.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta ligjore dhe aplikimit sipas ligjit 7501, institucione të ndryshme në vend nuk kanë dhënë zgjidhje, duke e lënë atë në një situatë tepër të vështirë dhe të papranueshme.
Denoncimi i Verushes ngre alarmin për problemet që shumë qytetarë përballen me pronësinë në Shqipëri dhe nevojën urgjente për ndërhyrje institucionale.
Pjesë nga rrëfimi i saj:
Nga shtatori i vitit 2024 kam që fle në një makinë nëpër rrugë në Belsh dhe përpara Hipotekës Elbasan.
Arsyeja është kjo, jam larguar më 1997 për jashtë dhe kam mbaruar shkollën e lartë, më pas kam jetuar 14 vite në Greqi e Gjermani.
Kam ardhur çdo dy muaj këtu, por në një 1 shtator vendosa të nxjerr përfundimisht tapitë e tokave me ligjin 7501, e lashë Gjermaninë, punën dhe familjen e mendova se procesi do mbaronte.
U informova fillimisht nga ana ligjore ,megjithëse puna ime ka pasur të bëjë me ligje e letra, u informova nga ana ligjore si fillim, pastaj aplikova me të gjitha dokumentet e sakta e kurrë nuk dija vazhdimin se çfarë do më priste deri në momentin që po flasim bashkë.
Me sa kam kuptuar, duke e dëgjuar në Athinë e Selanik zotin Rama, që bën thirrje kthehuni në Shqipëri edhe përse do duhet të investoni këtu kur ju keni pasaportë shqiptare, mendova që të marr letrat e tokës, t’i shes dhe përmes ligjit 7501 të marr paratë dhe të kem të bëj me institucionet, fillimisht me kryetarin e bashkisë Belsh, pastaj me policinë pasi institucionet janë të lidhura.
Prej 1 muaji kam një çantë që kam shumë prova më shumë se çka çdo avokat në zyrën e tij, fillimisht që unë fle në rrugë kjo ka nisur nga bashkia, duke qenë se kisha bërë kërkesë që në këtë tokë ta merrja me qira për të ndërtuar kasollën prej druri derisa të dilnin tapitë e tokës sime.
Bashkia brenda dy orësh më shembën dhomën e drurit, edhe noteri dhe hipoteka më thonë se nuk je pjesëtare e shtëpisë së babit se aty është një shkronjë F e kjo do të thotë familje bujqësore ku unë jam pjesëtare e pavarësisht kësaj unë u detyrova të fle në makinë".
© SYRI.net